Pas disa problemeve, Prishtina fiton Superkupën e Kosovës - triumfon ndaj Trepçës
Sigal Prishtina ka fituar Superkupën e Kosovës në basketboll, duke mposhtur në finale Trepçën me rezultat 73:54 (13:8, 15:15, 24:14, 21:17).
Prishtina ishte më e mirë se Trepça edhe pse kishte incidente të njëpasnjëshme, ku u ndërpre disa herë takimi shkaku i tifozëve.
Fillimisht ishte vërtet dëshpërues ku për katër minutat e parë u realizuan vetëm dy pikë, me basketbollistët e dy skuadrave që ishin shumë jo të saktë në gjuajtjet e tyre.
Pastaj nisën incidentet, me tifozët që hodhën mjete piroteknike në fushë dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta. Reagoi edhe Policia, ku iu dha vërejtjen e fundit tifozëve.
Kështu, Prishtina e mbylli me pesë pikë epërsi çerekun e parë me rezultat 13:8, derisa në çerekun e dytë gjithçka ishte e barabartë me rezultatin 15:15, ose 28:23 ai i pjesës së parë.
Sidoqoftë, tifozët nuk u ndanë të kënaqur me këtë lojë dhe nisën sërish problemet, fillimisht duke hedhur prapë mjete piroteknike në palestër, këtë herë ia bashkangjiten edhe disa karrige.
Pastaj filloi përleshja mes dy tifozërive "Torcida" dhe "Plisat". Kështu, për më shumë se një orë pjesa e dytë nuk nisi, pasi Policia kërkoi që të zbrazët e tërë palestra.
Me largimin e tifozëve, Prishtina zhvilloi lojë më të duke mirë duke fituar çerekun e tretë me 10 pikë epërsi, 24:14, derisa në atë përfundimtar vulosën fitoren me rezultat 73:54.
Për Prishtinën ky është trofeu i tetë për Superkupë në histori të klubit.
Më i dalluari në këtë sfidë te Prishtina ishte Wilson me 18 pikë ndjekur nga Thomas me 16 sosh, derisa te Trepça u dallua Hajrizi me 12 pikë.