Messi nuk nominohet për ta fituar Topin e Artë pas 17 vitesh
Leo Messi mungon në listën e 30 të nominuarve për ta fituar Topin e Artë për edicionin futbollistik 2021/2022. Në listë mungon edhe Neymar.

Leo Messi ka hasur në vështirësi të mëdha përgjatë sezonit të tij të parë si futbollist i PSG. Mungesa e golave të shënuar siç jemi mësuar të shohim nga ai dhe fakti që klubi francez u eliminua herët nga Real Madrid në Ligën e Kampionëve, ndikoi shumë edhe te ylli argjentinas.
Gjithë këto detaje i kushtuan rëndë atij, pasi që prej 2005-ës, për herë të parë emri i tij nuk figuron në listën e 30 kandidatëve për ta fituar Topin e Artë.
Një lajm jo i zakonshëm, pasi Leo Messi këtë çmim e ka fituar shtatë herë deri më tani, duke qenë protagonisti kryesor në ngjarjen që është më e rëndësishmja sa i përket vlerësimit individual të lojtarëve për paraqitjet e tyre përgjatë një sezoni.
Sezoni 2021/2022 dëshpërues për Messin
Kur vendosi që ta lë Barcelonën për t'iu bashkuar PSG, të shumtë ishin ata që mendonin se sulmi i parisienëve do të pësonte një erupcion, duke dijtur se kë do ta kishte afër ylli argjentinas: Mbappe dhe Neymar.
Sidoqoftë, një sinergji e lakmueshme asnjëherë nuk u pa mes sulmuesve në fjalë. Në fakt, të udhëhequr nën urdhrat e Pochettinos, as sulmi i PSG, e as vetë Messi - nuk ia dolën që ta dëshmonin më të mirën në fushë.
Në 26 paraqitje sa Messi zhviloi në Ligue 1, ai arriti të shënojë vetëm 6 gola, por në anën tjetër më produktiv ishte në asiste, ku regjistroi 15 sosh. Prapëseprapë mbeten shifra të papërfillshme në raport me pritshmëritë që janë karshi tij.
Edhe në Ligën e Kampionëve nuk është se gjërat qëndruan më mirë, anipse zhvilloi ndeshje më të mira sesa në Ligue 1. Në kompeticionin kryesor evropian sulmuesi argjentinas shënoi 5 gola në 7 ndeshje.
Lojtarët që më së shumti kanë ngadhënjyer me fitimin e Topit të Artë
Lojtarët që më së shumti kanë qenë dominantë duke fituar Topin e Artë, janë Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Që të dytë e kanë dominuar epokën e mileniumit të fundit. Megjithatë, primatin absolutisht që e mban Leo Messi, duke e fituar për 7 herë radhazi Topin e Artë, kurse Cristiano Ronaldo e ka fituar 5 herë tjera. 3 herë të njëjtin çmim e kanë fituar edhe ish-legjendat tjera të futbollit si Michael Platini, Johan Cruyff dhe Marco van Basten.
Sa i përket kandidaturës për fitimin e çmimit të sivjem, Cristiano Ronaldo është pjesë e listës, kurse në përgjithësi dominojnë lojtarët që ishin pjesë e skuadrave që treguan supremaci në edicionin 2021-2022 të Ligës së Kampionëve.
Deri më tani nga të gjithë vlerësohet se Karim Benzema është lojtari më i prirë për ta fituar Topin e Artë, pasi ishte lojtari kryesor që ndihmoi Real Madridin t'i fitonte qoftë ligën spanjolle, ashtu edhe trofeun e Ligës së Kampionëve.


