Topi i Artë njofton katër ndryshime rrënjësore
Çmimi më i rëndësishëm për futbollistë - Topi i Artë - do t’iu nënshtrohet disa ndryshimeve rrënjësore këtë vit, njofton revista franceze France Football, e cila e ndan këtë çmim.
Sulmuesi i Argjentinës dhe Paris Saint-Germainit, Lionel Messi, e fitoi këtë çmim për herë të shtatë rekord në nëntor, derisa Alexia Putellas e Barcelonës e fitoi Topin e Artë për gratë.
Fitorja e Messit shkaktoi shumë polemika, pasi shumë njerëz menduan se sulmuesi i Polonisë dhe Bayern Munich, Robert Lewandowski, ishte më meritor mbase.
Si pasojë, kryeredaktori i France Football, Pascal Ferre, konfirmoi se Topi i Artë do t’i pësojë katër ndryshime.
Së pari - çmimi do të ndahet në fund të sezonit evropian të futbollit, jo në fund të vitit si deri tani.
Nga tani, çmimi do t’i jepet lojtarit më të mirë brenda sezonit të caktuar, duke nisur nga ky sezon 2021/22, nga gushti deri në korrik. Kjo nënkupton se Kupa e Botës 2022 në Katar nuk do të merret parasysh në votim.
Pra, paraqitjet e futbollistëve në Katar 2022 gjatë dhjetorit dhe nëntorit do të merren parasysh për Topin e Artë 2023.
Së dyti - përveç gazetarëve të përfshirë në votim, në proces është shtuar edhe ish-ylli i Chelseat dhe Bregut të Fildishtë, Didier Drogba. Ai do të jetë përgjegjës për ta përpiluar një listë më të strukturuar të të nominuarve.
Së treti - vetëm përfaqësuesit e 100 kombëtareve të para në FIFA do të kenë të drejtë të votojnë për Topin e Artë.
Së katërti - kriteri mbase më i rëndësishëm në tërë këtë - ai i zgjedhjes së fituesit - votuesit duhet të përqendrohen së pari kryesisht në paraqitjet individuale të futbollistëve brenda sezonit para arritjeve ekipore, e cila do të merret parasysh po ashtu.
Aftësitë e lojtarit dhe ndershmëria e tij në lojë do të vlerësohen po ashtu. Arritjet nga vitet e mëparshme nuk do të merren parasysh më në votim.