Përfaqësuesit e Leo Messit e mohojnë se Laporta e ka kontaktuar argjentinasin - NACIONALE

Përfaqësuesit e Leo Messit e mohojnë se Laporta e ka kontaktuar argjentinasin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesit e Lionel Messit i kanë quajtur të rreme lajmet se presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, apo dikush tjetër nga klubi e ka kontaktuar superyllin argjentinas për biseduar për kthimin e tij në Camp Nou.

Laporta u zotua se do të bëjë gjithçka që mundet për ta kthyer Messin në Camp Nou verën e ardhshme, kur marrëveshja me Paris Saint-Germainin t’i ketë mbaruar.

Messi, 35 vjeç, u largua nga gjiganti katalonas dhe iu bashkua kampionit francez si lojtar i lirë në vitin 2021, duke i dhënë fund një karriere të bujshme 21-vjeçarë në Barcelonë, raporton Nacionale.

Duke folur para ndeshjes për trofeun “Joan Gamper” të dielën, Laporta tha: “Nuk do të flas më për Messin sepse ai është lojtar i PSG-së. Thjesht do të them se ne i jemi borxhli moral atij. Kemi marrëdhënie të mira me familjen e tij”.

Por javë më parë, ai kishte theksuar: “Dëshiroj që ai ta përfundojë karrierën në fanellën e Barçës dhe të duartrokitet në të gjitha stadiumet. Ndihem pjesërisht fajtor për mënyrën se si përfunduan gjërat dhe ndiej se kjo është ndarje e përkohshme dhe ne do t’ia bëjmë ëndrrën realitet. Të paktën kjo është ëndrra”.

Sipas Mundo Deportivos, gazetës së afërt me klubin, përfaqësuesit e Messit e kanë mohuar të jenë kontaktuar nga Barcelona për Messin, megjithatë.

“As Laporta as dikush tjetër nuk na ka kontaktuar për Messin dhe kushdo që e thotë këtë gënjen”, kanë thënë përfaqësuesit e 35-vjeçarit.

Messi u largua nga Barcelona në gusht të vitit të kaluar, pasi klubi nuk ishte në gjendje ta regjistronte si lojtar të vetin, pavarësisht se kishin arritur marrëveshje, për shkak të rregullave financiare të La Ligës.

Largimi i tij nga klubi ku ishte rritur dhe kishte fituar gjithçka tronditi botën e sportit dhe Messi arriti marrëveshje me PSG-në, duke nënshkruar kontratë dyvjeçare me mundësinë për edhe një vit tjetër.

Messi shpërtheu në lot gjatë konferencës së lamtumirës por ai mund të kthehet aty ku lulëzoi vetëm dy vite pasi u detyrua të ikte, nëse Laporta është në gjendje ta orkestrojë një marrëveshje.

Ai i shënoi 670 gola dhe i dhuroi 302 asiste në 776 ndeshje në dy dekada të kaluara te Barcelona.

Lajme të ngjashme