Messi dhe Mbappe me paraqitje të mrekullueshme ia sigurojnë PSG-së fitoren ndaj Lensit
Paris Saint-Germain, ka shënuar fitore të rëndësishme në garën për titull, duke mposhtur 3:1 kundërshtarin direkt për titull Lens, fal paraqitjes fenomenale të Lionel Messit e Kylian Mbappes, që ishin në formë me kombinimet e tyre të jashtëzakonshme.
Lens nuk tregua aspak inferiore sa i përket rasteve të krijuara, por kampioni francez ishte më konkret në realizimin e rasteve, çka ndikoi në rezultatin përfundimtar.
Ishte Kylian Mbappe që shënoi golin e epërsisë në minutën e 31-të, pas një kombinimi të bukur mes Messit – Mbappes – Vitinhas, ky i fundit që asistoi për 1:0.
Vitinha dyfishoi epërsinë me një gol të bukur vetëm gjashtë minuta më pas, i asistuar nga Nuno Mendes.
Ndërsa Lionel Messi e përmbylli serinë e golave pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë, pas një asisti të jashtëzakonshëm nga Kylian Mbappe për 3:0.
Në pjesën e dytë, skuadra nga Parku i Princave nuk realizoi asnjë gol, ndërsa Lens krejt çfarë arriti të bënte ishte të ngushtonte rezultatin me një gol.
Frankowski shënoi nga penalltia në minutën e 61-të për 3:1, që ishte epilogu final i takimit.
Vlen të cekët se nga minuta e 19-të Lens mbeti pa një lojtar në fushë, pasi Salis Abdul Samed u ndëshkua me karton të kuq direkt.

