Mesazhi i yllit ukrainas: Kur ankoheni për faturat e gazit dhe rrymës, kujtojeni çmimin që po e paguajnë ukrainasit - NACIONALE

Mesazhi i yllit ukrainas: Kur ankoheni për faturat e gazit dhe rrymës, kujtojeni çmimin që po e paguajnë ukrainasit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ruslan Malinovskyi është ndër lojtarët kryesorë të Atalantas. Ai asnjëherë nuk e harron momentin delikat që po e kalon kombi i tij ukrainas. Sot, përçoi një mesazh prekës ndaj të gjithëve.

Agresioni rus në Ukrainas ka ndryshuar shumëçka në botë, por s'do mend që më së shumti ka lënë gjurmë të keqija te vetë populli ukrainas, i cili në vetëmbrojtje po kalon muaj të errët.

I nisur në shkurt të 2014-ës dhe i përshkallëzuar tetë vite më vonë, pushtimi i Rusisë ndaj territorëve perëndimore të Ukrainës, ku ka enklava me etni ruse - ka prekur tej mase edhe komunitetin e futbollistëve ukrainas.

Njëri ndër ta është edhe vetë Malinovskyi. 29-vjeçari nuk arrin ta kuptojë assesi mllefin me inflacionin që kanë shumë banorë nëpër vendet të ndryshme të botës, kur vendi i tij në të njëjtën kohë po përballet me luftë dhe të vrarë civilë nga sulmet e Rusisë.

"Kujtojeni çmimin që po e paguajnë ukrainasit"

Në faqen e tij zyrtare të rrjetit social Facebook, Ruslan Malinovskyi ka bërë një shkrim prekës, ku është përpjekur që ta përçojë një mesazh të fortë ndaj të gjithë atyre që kanë harruar thelbin e krizës (më saktësisht pushtimin e Rusisë në Ukrainë), por merren me gjëra tjera, të peshës dytësore, siç janë inflacioni dhe shpesh mallkojnë në një formë apo në një tjetër rezistencën e popullit ukrainas.

"Herën tjetër që do të ankoheni për çmimin e gazit dhe të rrymës, kujtojeni çmimin që po e paguajnë ukrainasit"
, shtoi ai ndër të tjera.

Krejt këtë mesazh e arsyetoi me publikimin e një fotografie, ku shihej gjaku që rrjedhte nga trupi i një 16-vjeçari të vdekur në marsin që lëmë pas. Ai gjeti vdekjen pa asnjë faj.

"Ilyia ka vdekur në Mariupol gjersa luante futboll. Pa asnjë arsye. Vetëm sepse Rusia është një shtet terrorist"
, shkroi ai.

Fushata e lojtarëve ukrainas në përkrahje të vendit të tyre

Qëkur ka nisur lufta, Malinovskyi ka qenë i zëshëm, qoftë me nisma të ndryshme që ka ndërmarrë për popullin e tij apo me komente të vazhdueshme për ta sensibilizuar opinionin ndërkombëtar në lidhje me atë çfarë po ndodh atje.

Si ai kanë qenë edhe shumë bashkëlojtarë të tij të Kombëtares së Ukrainës dhe ukrainas të tjerë që luajnë në klube më të vogla në arenë evropiane. Nga Zinchenko deri te Kovalenko, emëruesin e përbashkët e kanë të njëjtë: t'ia kujtojnë botës se kush është viktima dhe kush agresioni.

E gjithë kjo sepse nganjëherë edhe ky dallim kaq substancial dhe i thjeshtë, ka nevojë për t'u bërë, duke pasë parasysh shkallën e lartë të dezinformimit apo të informimit të shtrembëruar.

Lajme të ngjashme