Andriy Shevchenko: "Ne si ukrainas do të rezistojmë - dua të kthehem në atdhe"
Trajneri dhe ish-sulmuesi i spikatur ukranas, Andriy Shevchenko, ka thënë se ky nuk është një operacion special, por agresion dhe krim rus kundër civilëve ukrainas.
Në një intervistë të sotme për Corriere Della Sera, ai ka thënë që e flet gjuhën ruse në mënyrë të rrjedhshme dhe se ata si ukrainas nuk kanë asgjë kundër popullit rus, veçse janë kundër atyre që e përkrahin luftën.
"Natyrisht që e flas rusishten. Ma kanë mësuar në shkollë. Në Ukrainë mund të flasësh rusisht në mënyrë të lirshme. S'kemi asgjë kundër popullit rus, veçse jemi kundër atyre që e përkrahin luftën. Lutem çdo ditë që lufta të mbarojë!"
Ai ka treguar që familjarët e tij janë në Ukrainë, përfshirë motra e tij që gjendet 25 minuta afër qytetit të Kyiv, duke thënë që lagjia e saj është bombarduar. Madje, është treguar edhe i interesuar që të kthehet në tokën e tij amë, por siç thotë ai është e pamundur, pasi i kanë mbyllur të gjitha kufijt.
Andriy Shevchenko e ka lavduar qëndrimin e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kurajoz dhe se e ka bashkuar tërë popullin ukrainas.
Për fund Sheva përkrahi vendimin e FIFA-s për ta përjashtuar Rusinë nga botërori, duke e quajtur vendim të drejtë për sa kohë agresioni rus në Ukrainë të vazhdojë.