“Merrem unë më të” – Ten Hag reagon pasi Ronaldo e lëshoi stadiumin i pakënaqur ende pa mbaruar loja
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, ka thënë se do të merret vetë me Cristiano Ronaldon, pasi portugezi i pakënaqur që nuk luajti fare u largua nga stoli drejt zhveshtores disa minuta para përfundimit të ndeshjes kundër Tottenhamit.
Ronaldo, 37 vjeç, u largua nga stadiumi në minutën e 89-të, pak pasi Ten Hagu i futi në lojë Christian Eriksenin dhe Anthony Elangan.
Kjo nuk është hera e parë që Ronaldo largohet nga stadiumi i pakënaqur ende pa përfunduar ndeshja dhe Ten Hagu tha pas ndeshjes se do të bisedonte me sulmuesin veteran të nesërmen.
“Do të merrem me këtë çështje nesër, jo sot. Tani jemi duke e festuar fitoren”, tha Ten Hag pas ndeshjes.
“E kam parë atë, por nuk kam folur me të”, nënvizoi ai.
Megjithëse Unitedi i kishte përdorur vetëm tri prej pesë zëvendësimeve të lejuara gjatë fitores 2:0 kundër Tottenhamit të mërkurën, Ronaldo vendosi të largohet nga stoli më herët dhe u zhduk drejt tunelit të stadiumit Old Trafford.

Kjo ndodhi vetëm tri ditë pasi Ronaldo tregoi pakënaqësi pse trajneri e nxori nga loja herët në pjesën e dytë kundër Newcastle.
Pas barazimit 0:0 të dielën, Ten Hagu tha se nuk kishte asnjë problem me reagimin negativ të Ronaldos, por shtoi se portugezi duhet patjetër ta bindë atë se duhet të qëndrojë.
Ish-sulmuesi i Anglisë Gary Lineker tha se sjellja e Ronaldos e tërhoqi vëmendjen panevojshme nga paraqitje brilante e Unitedit kundër Spurs.
“Më vjen keq, por kjo është e papranueshme, shumë keq prej tij”, tha Lineker të mërkurën.
Analistët Ashley Williams dhe Micah Richards u pajtuan me Linekerin.
“Për mua është zhgënjyese se si njëri prej më të mëdhenjve në futboll e bën këtë për vëmendje vetjake kur ekipi i tij është duke fituar”, tha Richards, ish-mbrojtësi i Anglisë.
Ish-kapiteni i Uellsit, Williams shtoi: “Ishte një natë e madhe për Manchester Unitedin dhe ja ku jemi duke folur për Cristiano Ronaldon – edhe pse ai nuk luajti”.
