Menaxheri i Ermal Krasniqit i mohon lajmet se kosovari po e pret ftesën nga Shqipëria - NACIONALE

Menaxheri i Ermal Krasniqit i mohon lajmet se kosovari po e pret ftesën nga Shqipëria

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Sulmuesi i CFR Clujit, Ermal Krasniqi nuk ka marrë ende ftesë nga kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e marsit dhe nuk po e pret Shqipërinë, siç u raportua gjatë ditës së diele, kështu thotë agjenti i tij Kastriot Telaku për Gazetën Nacionale.

Të shtunën mbrëma, mediumi shqiptar “cna.al” raportoi se Krasniqi ka lënë pezull ftesën e ‘Dardanëve’ pasi ‘ëndërron’ ta luajë në fanellën ‘Kuq e zi’.

Mirëpo, një gjë e tillë është quajtur gënjeshtër nga agjenti i lojtarit, Telaku i cili bëri me dije se dëshira e Ermalit është të vazhdojë të luajë te Kosova.

"Nuk është e vërterë, s'jemi tu e prit Shqipërinë dhe as nuk kemi marrë ftesë nga Kosova për ndeshjet e marsit".

"Dëshira e Ermalit vazhdon të jetë ta përfaqësojë Kosovën", deklaroi shkurtimisht ai për Nacionalen.

‘Shpërthimi’ i Ermal Krasniqit te Cluji

Që prej kalimit te Cluj në afatin dimëror nga Ballkani në një marrëveshje 300 mijë eurosh (200 mijë euro plus 100 mijë euro përmes bonuseve), Krasniqi ka ‘shpërthyer’ te skuadra rumune.

Brenda një kohë shumë të shkurtër, anësori këmbëshpejtë la në stol kapitenin e Clujit duke qenë i pazëvendësueshëm në formacionin bazë.

Ai të dielën edhe shënoi golin e fitores kundër Argers, duke marrë topin nga gjysma e fushës dhe realizuar nga distanca.

Përndryshe pas këtyre paraqitjeve, ai po vëzhgohet nga skuadrat e njohura evropiane si Mallorca, Torino dhe disa të tjera në kampionatin italian.

Ermal Krasniqi ishte ftuar te Kosova në miqësoret e muajit nëntor ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe.

Lajme të ngjashme