Mediumi shqiptar: Ermal Krasniqi e ka lënë pezull ftesën e Kosovës, ëndërron Shqipërinë
Sulmuesi kosovar Ermal Krasniqi ka lënë pezull ftesën e kombëtares së Kosovës për ndeshjet e marsit, duke shpresuar që të ftohet nga Shqipëria, kështu raporton mediumi "Cna.al".
Krasniqi ka shpërthyer që prej kalimit te CFR Cluj duke fituar interesimin e top klubeve evropiane falë paraqitjeve të jashtëzakonshme, ku mori lëvdata edhe nga trajneri i Lazios Maurizio Sarri.
Siç raporton mediumi shqiptar "cna.al", Krasniqi ka marrë ftesë nga kombëtarja e Kosovës por për momentin e ka lënë pezull pasi po ëndërron ta përfaqësojë Shqipërinë.
"Nga burime pranë lojtarit mësojmë se Kosova i ka dërguar ftesë Krasniqit për ndeshjet e marsit, por ai e ka lënë pezull, pasi po pret ftesën e Shqipërisë", shkruan mediumi në fjalë.
Kjo padyshim mund të jetë një tjetër ‘goditje’ për Kosovën pas raportimeve që edhe Mirlind Daku ka vendosur ta përfaqësojë Shqipërinë. Sa i përket kësaj të fundit, zyrtarët e dy federatave, si FFK ashtu edhe FSHF-ja e kanë mohuar.
Krasniqi po kalon formën më të mirë të karrierës, derisa ditën e diele shënoi golin e fitores për Cluj në kampionatin rumun duke realizuar në kohën shtesë me një goditje nga distanca.
Krasniqi ishte ftuar te Kosova për dy ndeshjet miqësore ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe, derisa për Nacionalen kishte deklaruar se ishte tejet i lumtur që ishte ftuar.
“Të them të drejtën në ato momente nuk më besohej (që jam ftuar te Kosova). Jam shumë i lumtur që mora këtë ftesë”.
“Synoj që ta shfrytëzoj rastin që më është dhënë, të bëjmë ndeshje të mira në mënyrë që të ftohem edhe në grumbullimet e radhës”, kishte thënë ai.

