Manchester Unitedi i gatshëm t’i jap kontratën më të gjatë në histori të klubit yllit argjentinas
Gjiganti anglez, Manchester United, është i gatshëm t’i ofrojë Alejandro Garnachos, kontratën më të gjatë në histori të klubit anglez, sipas raportimeve nga mediat britanike.
Unitedi dëshiron ta lidhë anësorin me një kontratë që do të zgjasë tetë vjet, raporton The Mirror. Garnacho ka 18 muaj të mbetur në marrëveshjen e tij aktuale dhe Djajtë e Kuq janë të vendosur për ta penguar atë që të vazhdojë deri në skadim të kësaj kontrate.

Megjithatë, agjenti i 18-vjeçarit heziton të pajtohet me një marrëveshje të tillë afatgjatë dhe po kërkon një angazhim katër-vjeçar. Kërkesat për pagën e lojtarit po pengojnë gjithashtu në negociatat mes palëve.

Ylli i ri i argjentinasve, i cili ka bërë tetë paraqitje në Premierligë këtë sezon dhe ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave kryesore me paraqitjet e tij, me Real Madridin dhe ish-skuadrën e tij Atletico Madrid që thuhet se janë të interesuar.

Garnacho do të shpresojë të përfshihet kur skuadra e tij të përballet me liderët e Premierligës, Arsenal, këtë të diele.
18-vjeçari është produkt i shkollës së Getafes, nga ku kishte kaluar pastaj në akademinë e Atletico Madridit për të qëndruar për pesë vite, dhe në vitin 2020 ra në sy të Manchester Unitedit, për të nënshkruar kontratën e parë profesionale në vitin 2022.
Reprezentuesi i Argjentinës, fillimisht kishte përfaqësuar Spanjën deri në gjeneratën U18, pastaj vendosi për vendin e prindërve të tij, Kampionët e Botës në fuqi.