Manchester United me vështirësi enorme fiton ndaj Omonia, Lazio barazon ndaj Sturm Graz
Manchester United ka shënuar fitore tek në fund të ndeshjes në Ligën e Evropës, falë golit të McTomminay që shënoi për 1:0. Sfida tjetër mes Lazio dhe Sturm Graz përfundoi baras, po me gola, 2:2.
Një paraqitje jo shumë e mirë ajo e Manchester Unitedit, por që u mbyll me fitore në të mirë të tyre, edhe pse me shumë vuajtje.
“Djajtë e kuq” e gjetën golin e fitores në minutën e 93-të falë McTomminayt. Një gol vendimtar që mundësoi që Manchester United përforconte vendin e dytë në grup me 9 pikë.
Nga minuta e parë për ekipin anglez luajti edhe Cristiano Ronaldo, por pa treguar formë të mirë. Edhe një herë dëshmoi se nuk është as përafërsisht në linjë me formën e dikurshme që ishim mësuar ta shihnim, anipse Ten Hag i dha besimin që të luante titullar nga minuta e parë.
Përgjithësisht Manchester United pati shumë raste shënimi, por nuk ia doli që t’i konkretizonte ato. Mungoi efikasiteti nga vija e sulmit, e cila nuk ishte në natën e saj më të mirë të mundshme.

Goli i mesfushorit skocez bëri që gjithçka tjetër të vihet në harresë dhe Manchester Unitedi t’i gëzohet fitores së radhës ndaj Omonia, pasi javën e kaluar e kishte mposhtur me rezultat 2:3.

Një ndeshje mjaft e luftuar dhe e bukur është zhvilluar mes Lazios dhe Sturm Grazit në “Olimpico”.
Skuadra e Maurizio Sarrit shfaqi vendosmëri që në fillim të lojës që ta zhbllokonte rezultatin.
Goli i epërsisë erdhi nga pika e bardhë, falë Immobiles që në minutën e 45-të shënoi për 1:0.
Vetëm dy minuta më vonë, pa përfunduar mirë pjesa e parë, gjyqtari i ndeshjes akordoi kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin e djathtë Lazzarri. Kështu Lazio mbeti me një lojtar më pak.
Në pjesën e dytë Boving shënoi për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Edhe pse në inferioritet numerik në fushë, Lazio ia doli që ta rikthejë epërsinë në minutën e 71-të, duke shënuar falë Pedros.
Megjithatë, dushi i ftohtë për ekipin e Sarrit erdhi në minutën e 83-të. Ishte sërish Boving ai që shënoi për 2:2.
Me këtë rezultat edhe mbaroi i tërë takimi. Pas kësaj xhiro të gjitha skuadrat ndajnë pikët e njëjta, respektivisht 5 sosh.

