7 milionë euro kontrata bazë, 400 mijë euro anekse dhe 21 muaj vonesë: Teatri Kombëtar shtyhet deri në verën e 2027 - NACIONALE

7 milionë euro kontrata bazë, 400 mijë euro anekse dhe 21 muaj vonesë: Teatri Kombëtar shtyhet deri në verën e 2027

1 orë më parë

nga NACIONALE

Renovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, një prej projekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, po zvarritet për afro dy vjet përtej afatit të paraparë.

Sipas kontratës bazë, punimet duhej të përfundonin në shtator të vitit 2025. Mirëpo Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për Gazetën Nacionale ka thënë se objekti pritet të jetë gati vetëm në qershor të vitit 2027, dhe atëherë vetëm nëse nuk shfaqen pengesa të tjera.

Siç shihet në kontratën bazë, vlera e këtij projekti është rreth 7 milionë euro, dhe afati i përfundimit të tij është 18 muaj ose 1 vit e gjysmë.

Ndërsa sipas Jehona Shyti, Drejtore e Departamentit të Kulturës dhe Udhëheqëse e Drejtpërdrejtë e Kontratës, ky projekt ishte paraparë të përfundonte brenda një viti, gjegjësisht në shator të vitit 2025.

"Bazuar në kontratën bazë dhe Planin e menaxhimit të kontratës, afati fillestar për përfundimin e punimeve në asetin në mbrojtje të përkohshme, katogoria trashëgimi arkitekturale, nënkategoria monument, me nr. unik 4241 në databazën e trashëgimisë kulturore “Teatri Kombëtar i Kosovës” ka qenë i paraparë të përfundojë brenda një viti, gjegjësisht deri në shtator të vitit 2025", ka thënë Shyti për Nacionale.

Por çfarë e ka zvarritur kaq shumë këtë projekt, duke pasur parasysh që godina e Teatrit Kombëtar nuk është e përmasave të mëdha, gjithashtu hartimi dhe miratimi i projektit zbatues për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) është bërë nga profesorët e Universitetit të Prishtinës.

Megjithatë, përgjigjet e Shytit ngrenë pikëpyetje lidhur me planifikimin fillestar të projektit.

Vetë ministria konfirmon se projekti zbatues ishte hartuar dhe miratuar gjatë vitit 2024 nga profesorë të Universitetit të Prishtinës. Pavarësisht kësaj, gjatë ekzekutimit thotë se janë identifikuar një sërë punësh që nuk ishin parashikuar në kontratën bazë.

Shyti argumenton se restaurimi i një monumenti të mbrojtur është një proces kompleks, ku jo të gjitha problemet mund të identifikohen në fazën e projektimit. Sipas saj, nevojat shtesë teknike janë shfaqur vetëm pas hapjes së objektit dhe kanë imponuar ndryshime në projekt dhe miratime shtesë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Përmend gjithashtu si faktorë ndikues kushtet e pafavorshme atmosferike gjatë dimrit dhe vonesat në furnizimin me materiale të specializuara.

"Sa i përket zgjatjes së afatit të përgjithshëm të projektit, duhet theksuar se restaurimi i një aseti nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore -arkitekturale paraqet një proces kompleks, gjatë të cilit, në fazën e ekzekutimit të punimeve, shpesh evidentohen gjendje faktike që nuk kanë mundur të identifikohen plotësisht gjatë fazës së projektimit. Edhe pse hartimi dhe miratimi i projektit zbatues për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës është realizuar gjatë vitit 2024 nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, ndaj të cilëve shprehim mirënjohje për punën, angazhimin dhe nivelin e lartë profesional të treguar, gjatë zbatimit të punimeve janë identifikuar nevoja shtesë teknike dhe profesionale, të cilat kanë kërkuar rishikimin e zgjidhjeve projektuese, sigurimin e miratimeve përkatëse, si dhe realizimin e punëve shtesë që kanë rezultuar të domosdoshme për garantimin e cilësisë së ndërhyrjeve, sigurisë së ndërtesës dhe ruajtjes së vlerave kulturore, historike, arkitekturale të monumentit", ka thënë Shyti.

Përveç kontratës bazë, e cila ka vlerën prej rreth 7 milionë euro, siç mëson Gazeta Nacionale, janë lidhur edhe dy aneks-kontrata për punë shtesë. Njëra prej tyre ka vlerën prej 190 mijë euro dhe kohëzgjatje prej 9 muajsh, ndërsa tjetra ka vlerën prej 133 mijë euro dhe kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Aneks-kontrata e dytë:

Se janë nënshkryar dy aneks-kontrata e thonë edhe nga MRKS.

Deri më tani janë lidhur dy aneks-kontrata me operatorin ekonomik. Këto aneks-kontrata kanë përfshirë punë shtesë, të cilat nuk kanë qenë të parashikuara në kontratën fillestare, por që janë identifikuar si të domosdoshme gjatë realizimit të projektit. Ndër këto punë përfshihen demolimet e shtresave të caktuara të monumentit, të cilat janë evidentuar vetëm pas fillimit të punimeve. Këto shtresa ishin rezultat i ndërhyrjeve dhe renovimeve të kryera ndër vite, të cilat nuk kanë mundur të identifikohen gjatë fazës së projektimit. Punë të tjera të domosdoshme kanë përfshirë muratimin dhe përpunimin e sipërfaqeve të mureve dhe pllafoneve/tavaneve, zëvendësimin e mbulesës mbi hapësirat administrative, pasi gjatë realizimit të punimeve është konstatuar se ajo ishte në gjendje të rënduar teknike dhe me rrezik degradimi, ndërtimin e strukturës së re metalike për shkallët në hapësirën e kullës së teatrit, punimet e betonimit dhe armimit, si dhe ndërtimin e strukturës së re metalike për hapësirën e kulmit mbi administratë, si edhe punë të tjera të ngjashme që kanë rezultuar të nevojshme gjatë zbatimit të projektit”, tha Shyti për Nacionale.

Megjithatë, fakti që një projekt i hartuar dhe miratuar vetëm një vit para nisjes së punimeve ka prodhuar dy aneks-kontrata dhe një shtyrje prej gati dy vjetësh ngre dilema mbi saktësinë e planifikimit fillestar, identifikimin e gjendjes reale të objektit dhe vlerësimin paraprak të punëve që kërkonte restaurimi.

Shyti nga MRKS i rendit edhe disa arsye të tjera, të cilat, sipas saj, janë ndër kryesoret që kanë çuar në gjithë këto vonesa në renovimin e Teatrit Kombëtar.

"Arsyet kryesore që kanë ndikuar në zgjatjen e afatit lidhen me punët shtesë të identifikuara gjatë realizimit të projektit, nevojën për harmonizimin e zgjidhjeve teknike me gjendjen faktike të ndërtesës, si dhe procedurat e nevojshme për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve përkatëse. Këto ndryshime është dashur të marrin edhe pëlqimet përkatëse nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, duke qenë se 'Teatrit Kombëtar i Kosovës' ka status të mbrojtjes. Një faktor tjetër me ndikim në afatin e realizimit ka qenë natyra specifike e projektit, pasi Momumenti 'Teatri Kombëtar i Kosovës' i është nënshtruar një procesi të plotë restaurimi dhe konservimi. Gjatë hapjes së kanaleve të drenazhimit përgjatë perimetrit të ndërtesës janë identifikuar dhe ekspozuar një numër i konsiderueshëm i instalimeve dhe rrjeteve të infrastrukturës nëntokësore, të cilat shërbejnë për këtë pjesë të qytetit dhe nuk kanë qenë të evidentuara në mënyrë të plotë gjatë fazës së projektimit", ka shtuar ajo.

Nëse afati i ri respektohet, Teatri Kombëtar do të rikthehet në funksion në qershor të vitit 2027, gati tri vjet pas nisjes së projektit dhe afro dy vjet më vonë sesa ishte parashikuar në kontratën bazë.

"Aktualisht, bazuar në dinamikën e punimeve dhe planin e zbatimit, përfundimi i punimeve planifikohet të realizohet në muajin qershor të vitit 2027, me kusht që punimet të zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe të mos paraqiten rrethana të reja ose të paparashikuara që mund të ndikojnë në ecurinë e projektit ose në afatin e realizimit të tij", tha Shyti.

Por mbetet e habishme se si një projekt, i cili në kontratën bazë parashihej të përfundonte brenda një viti, zgjatet pothuajse në tri vite.

Përgaditi: Fatbardha Krasniqi

Lajme të ngjashme