Luis Enrique këmbëngul se Spanja pati Botëror shumë të mirë, megjithëse u eliminua shumë herët
Luis Enrique thotë se kishte shumë gjëra pozitive për të marrë nga fushata e Spanjës në Kupën e Botës 2022, pavarësisht se ajo u eliminua qysh në rrethin e 16 më të mirëve.
Enrique u shkarkua nga posti i trajnerit pasi Spanja u mposht në penallti nga Maroku në një të tetën e finales, pasi mezi e kishte kaluar grupin duke përfunduar e dyta pas Japonisë.
Më gjithë eliminimin tronditës, Enrique vazhdon të këmbëngul se Spanja mund të marrë disa gjëra pozitive nga ky Botëror, edhe pse e pranon se ndihet keq për këtë dështim.
“Gjëja e keqe për garat si kjo është se në 90 apo 120 minuta mund të përfundosh në ferr. Nuk luajtëm mirë kundër Marokut, por unë shoh gjëra pozitive nga Kupa e Botës dhe katër vitet e mia në ekipin kombëtar. Jam i qetë, i kënaqur”, tha Enrique.

Ai shtoi: “Ne kemi përgatitur lojtarë shumë të mirë për katër vite dhe mendoj se e humbëm një mundësi shumë të mirë dhe ndihem keq për këtë. Nga dita e parë tentova t’i bind lojtarët se kishim shans të mirë të fitonim. Mendoj se ne luajtëm shumë mirë, përveç për disa minuta kundër Japonisë dhe pastaj telashe patëm kundër Marokut”.
Trajneri 52-vjeçar është i papunë tani dhe thotë se nuk do të presë gjatë për t’iu kthyer punës me ndonjë klub, jo kombëtare.
“Nuk e shoh veten më në ndonjë Kupë Bote. Ndihem me vetëbesim në marrjen e detyrës në ndonjë klub”, nënvizoi ai.

