Lojtarët e Man Unitedit e shohin Ronaldon si të bezdisshëm dhe festuan kur ai e kërkoi largimin, sipas ESPN
Cristiano Ronaldo shihet si njeri i bezdisshëm nga bashkëlojtarët e tij te Manchester Unitedi, të cilët raportohet të kenë festuar kur e kishin kuptuar se ai donte të largohej nga klubi.
Sulmuesi 37-vjeçar e shprehu dëshirën për t’u larguar nga Old Trafford në fillim të korrikut, por ai ende nuk ia ka dalë të arrijë të gjejë një klub të ri kur kanë mbetur vetëm edhe 72 orë deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës.
Ronaldo luajti titullar në vetëm njërën prej katër ndeshjeve të para të sezonit në Premierligë dhe atë në turpërimin 4:0 që ia shkaktoi Brentfordi.
Sipas ESPN, sulmuesi portugez është bërë figurë ndarëse në skuadër, duke i kritikuar bashkëlojtarët e vet për paraqitje të dobëta.

Sipas mediumit britanik, Ronaldo pret që lojtarët si Harry Maguire dhe Marus Rashford të luajnë si Rio Ferdinandi dhe Wayne Rooney – yje me të cilët ai kishte luajtur gjatë qëndrimit të parë në Old Trafford – dhe i kritikon kur nuk e arrijnë nivelin e tyre.
Prandaj, thuhet se lojtarët e Unitedit janë gëzuar kur u bë e qartë se Ronaldo dëshiron të largohet nga klubi.
Menaxheri i Ronaldos, Jorge Mendes, është duke bërë përpjekje për t’ia gjetur atij një klub para se afati kalimtar të mbyllet më 1 shtator, por klubet si Chelsea, Atletico Madrid dhe Bayern Munich e kanë hedhur poshtë mundësinë për të nënshkruar me të.
Trajneri i Unitedit, Erik ten Hag, ka këmbëngulur se Ronaldo nuk është në shitje dhe se dëshiron ta ketë atë në skuadër, megjithëse superylli portugez ka luajtur vetëm një ndeshje titullar nën urdhrat e tij deri tani këtë sezon.
“Ne duam që ai të qëndrojë. Dhe natyrisht shpresojmë se do të qëndrojë këtu”, u shpreh Ten Hag në fundjavë.


