Jorge Mendes e ofron sërish Cristiano Ronaldon te Chelsea
Chelseas i është ofruar sërish shansi për të nënshkruar me yllin e Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo pasi agjenti Jorge Mendes ka kontaktuar sërish "Blutë" për 37-vjeçarin.
Ronaldo është i dëshpëruar për t'u larguar nga "Old Trafford" dhe ka informuar klubin anglez në qershor se dëshiron t'i bashkohet një skuadre që garon në Ligën e Kampionëve.
Dëshira e Ronaldos ka qenë që t'i bashkohet ndonjë skuadre në Evropë, por ofertat kanë qenë të vogla, me ofertën e vetme që ka ardhur nga Arabia Saudite.
Chelsea është parë si opsioni primar pasi në korrik Mendes kishte bisedime me presidentin Todd Boehly, i cili dëshironte ta bënte si transferimi i parë në klub.
Mirëpo, trajneri Thomas Tuchel nuk ishte i të njëjtit mendim pavarësisht largimit të Romelu Lukakut.
Por Chelsea ka dështuar të përforcohet në pozitën e qendërsulmuesit, me Raheem Sterling që konsiderohet një sulmues krahu për sistemin e Tuchel.
Barcelona është duke kërkuar 30 milionë funte për Pierre-Emerick Aubameyang, që e transferuan vetëm gjashtë muaj më parë.
Me kohën që nuk është e gjatë, Chelsea është duke dështuar të përforcohet dhe "Independent" raporton se Mendes është rikthyer te Chelsea duke ia ofruar sërish Ronaldon.
Tuchel besohet se ka ende të njëjtat rezerva për nënshkrimin e Ronaldos siç bëri në fillim të verës, por mbetet për t'u parë nëse vendosmëria e tij është dobësuar nga fakti se klubi nuk ka arritur të forcohet.
Ndërkohë, nga ana tjetër – Man United padyshim do ishte i hapur ta lejojë të largohet pasi tashmë mund të thuhet se kanë zëvendësuesin pasi janë shumë pranë të arrijnë marrëveshje të plotë me Antony nga Ajax për vlerën e 100 milionë eurove.
Braziliani në fakt ka marrëveshje personale me “Djajtë e Kuq” për gjashtë vitet e ardhshme me opsion për të shtatin dhe ka bërë disa herë presion te klubi holandez të negociojë, pasi disa herë radhazi kanë refuzuar ofertat.
