KATAR 2022 | Lojtarët e Gjermanisë e mbyllin gojën me dorë gjatë fotos ekipore: Të drejtat e njeriut janë të panegociueshme - NACIONALE

KATAR 2022 | Lojtarët e Gjermanisë e mbyllin gojën me dorë gjatë fotos ekipore: Të drejtat e njeriut janë të panegociueshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lojtarët e Kombëtares së Gjermanisë kanë protestuar duke e mbyllur gojën gjatë fotos ekipore para takimit me Japonisë, ndaj vendimit të FIFA-s për ta ndaluar bartjen e shiritit të kapitenit me ngjyra të ylberit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës në Katar.

Pas protestës së ekipit para takimit, të cilin skuadra e Hansi Flick po e fiton 1:0 momentalisht kundër Japonisë, Federata e Futbollit e Gjermanisë shkroi në Twitter se donte që përmes shiritit të kapitenit të ngrinte zërin për të drejtat e njeriut.

Ne donim ta përdornim shiritin e kapitenit për t’u ngritur në këmbë për vlerat të cilat i mbajmë ne në ekipin kombëtar të Gjermanisë: diversitet dhe respekt i ndërsjellë. Së bashku me kombëtaret e tjera, ne donim që zëri ynë të dëgjohej”, thuhet në njoftimin e Gjermanisë.

Katari – vendi konservator mysliman – e ndalon me ligj martesën mes gjinive të njëjta dhe akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe punëtorëve.

Qëllimi nuk ishte për të marrë qëndrim politik – të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Prandaj ky mesazh është tejet i rëndësishëm për ne. Të na e ndaloni shiritin e kapitenit është njëlloj si të na e mbyllni gojën. Ne i mbajmë qëndrimin tonë”, thuhet tutje në njoftim.

Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) e ka çuar FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, për shkak se ua ndaloi lojtarëve bartjen e shiritit të kapitenit me mbishkrimin “NjëDashuri” gjatë Kupës së Botës në Katar.

DFB-ja i ka kërkuar kapitenit Manuel Neuer të mos e vendos në krah shiritin me ngjyra të ylberit në ndeshjen hapëse kundër Japonisë, e cila është e para e saj në këtë Botëror.

FIFA i paralajmëroi kapitenët se do të përballeshin me ndëshkime nëse do t’i thyenin rregullat e turneut duke bartur shirita që në fakt promovojnë gjithpërfshirjen dhe diversitetin.

Nëse CAS-i merr vendim të shpejtë kundër kësaj ndalese, atëherë Neuer mund ta bartë shiritin me ngjyra të ylberit në ndeshjen e dytë grupore të Gjermanisë kundër Spanjës të dielën.

CAS-i pritet të marrë vendim brenda 48 orëve të ardhshme për këtë çështje.

Lajme të ngjashme