Rexhaj thotë se Kosova sot është më serioze se Gjermania në mbrojtje, s’ia bën hesap sistemin “Arrow-3”
Shkrimtari Albatros Rexhaj deklaroi të hënën në mbrëmje në emisionin “Pressing” të televizionit T7 se Kosova është më serioze se Gjermania në mbrojtje dhe se “kjo është fakt”.
Ai i parafrazoi fjalët e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, “meselja” e të cilit me një gjerman ka nxitur debat ditëve të fundit.
Kur Rexhaj tha se Kosova sot është më serioze se Gjermania në mbrojtje, i shtoi edhe fjalët: “Kjo është fakt. Kjo është arsyeja pse Serbia është e alarmuar.”
Sidoqoftë, të përmendim, sa për krahasim, një fakt rreth Gjermanisë dhe “përkushtimit” të saj në mbrojtje, pasi shkrimtari kosovar tha gjithashtu se Kosova është “më e përkushtuar” se ekonomia më e fuqishme evropiane.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, Izraeli dhe Gjermania nënshkruan një kontratë me vlerë të rreth 3,1 miliardë dollarëve për ta zgjeruar sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore “Arrow-3” të prodhuar nga Industrisë Aerohapësinore të Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Gjermania fillimisht e kishte blerë sistemin “Arrow-3” në vitin 2013, pasi i cilëson raketat ruse me rreze të mesme si kërcënim parësor ndaj popullsisë dhe infrastrukturës kritike të vendit.
“Të kombinuara, dy marrëveshjet vlejnë gjithsej rreth 6,7 miliardë dollarë, duke e përfaqësuar marrëveshjen më të madhe të eksportit të mbrojtjes në historinë e Izraelit”, tha Ministria e Mbrojtjes e Izraelit në dhjetor.
Gjermania gjithashtu ka miratuar blerje të 200 automjeteve luftarake “Puma” për rreth 4 miliardë euro, raketa për aeroplanë luftarakë F-35A dhe sisteme tokë ajër “IRIS-T”, raporton “Defense News”./Nacionale