Burgim të përjetshëm autorit të sulmit vdekjeprurës me veturë në Munih vitin e kaluar
Një burrë është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall pajtor për goditjen e një turme njerëzish me veturë në Munih vitin e kaluar, duke lënë të vdekur dy prej tyre.
Burri 25-vjeçar, i identifikuar si Farhad N. sipas ligjeve gjermane për privatësi, është shtetas afgan, për të cilin prokurorët thonë se qëllimin e futi veturën e tij të tipit “Mini” në tubimin e një sindikate punëtorësh prej rreth 1.400 njerëzish në qendër të qytetit në mëngjesin e 13 shkurtit të vitit 2025, raporton televizioni BBC.
Ai goditi një grua 37-vjeçare dhe vajzën e saj 2-vjeçare, të cilat vdiqën në spital pak më vonë. Më shumë se 40 njerëz të tjerë pësuan lëndime, disa prej tyre kritike.
Ky ishte njëri nga sulmet në Gjermani që e kanë nxitur reotrikën e së djathtës ekstreme kundër emigrantëve.
Gjykata e Lartë Rajonale e Munihut vlerësoi se rasti kishte natyrë veçanërisht serioze, duke e bërë dukshëm më të vështirë lirimin para kohës të të dënuarit pasi t’i ketë vuajtur 15 vite burgim.
Ai u dënua për dy pika të akuzës për vrasje, 23 pika të akuzës për vrasje në tentativë dhe një numër akuzash të tjera, përfshirë lëndimin e rëndë trupor.

Gjykatësi tha se Farhad N. synonte që të sulmonte dhe të vriste njerëz në Gjermani në mënyrë arbitrare si kundërpërgjigje ndaj situatës në vendet islame.
“Duke vepruar kështu, i pandehuri synoi që të kryente një akt që do ta kënaqte Zotin dhe do ta dëshmonte veten si mysliman i mirë në sytë e Allahut, të tij dhe të familjes së tij” – tha gjykatësi.
Prokurori tha se i pandehuri besonte se sulmi ishte kundërpërgjigje e nevojshme ndaj veprimeve të ShBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore në Gaza dhe Afganistan. Prokurorët thanë se në veprimin e të pandehurit kishin ndikuar edhe zemërimi, zhgënjimi dhe hidhërimi.
Mbrojtja kishte kërkuar 15 vite burgim dhe vendosje të të pandehurit në një spital psikiatrik, duke argumentuar se klienti kishte shfaqur shenja të një forme të skizofrenisë.
I dënuari ka të drejtë që ta apelojë vendimin. Ai kishte arritur në Gjermani në vitin 2016 si adoleshent në kulmin e krizës së emigrantëve në Evropë. Ai kishte ardhur vetëm, pa familjen e tij. Kërkesa për azil i ishte refuzuar, por nuk ishte dëbuar nga Gjermania./Nacionale