Lojtarët e Gjermanisë do të shpërblehen me nga 400 mijë euro secili nëse e fitojnë Kupën e Botës 2022
Lojtarët e Kombëtares së Gjermanisë do t’i marrin nga 400 mijë euro shpërblim secili, nëse e fitojnë Kupën e Botës Katari 2022 në fund të këtij viti, ka thënë shefi i Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), Bernd Neuendorf, pas një takimi me ekipin ku u pajtuan për bonuset e turneut.
Bonusi për fitimin e kupës është rritur për 50 mijë euro krahasuar me Botërorin e kaluar në Rusi, në të cilin Gjermania la nam duke rënë nga gara qysh në fazën grupore.
Kur Gjermania e fitoi Botërorin 2014, lojtarët i morën nga 300 mijë euro bonus secili.
Për kalimin e fazës grupore në Katar, lojtarët do t’i marrin nga 50 mijë euro secili, ndërsa kalimi në çerekfinale do t’iu shpërblehet me nga 100 mijë euro secilit.
Gjermania, e etur për ta përmirësuar gabimin e vitit 2018, është pjesë e Grupit E bashkë me Spanjën, Kosta Rikën dhe Japoninë.

Kupa e Botës 2022 nis më 20 nëntor dhe Gjermania e hap fushatën e vet më 23 nëntor kundër Japonisë.
Për sigurimin e gjysmëfinales, lojtarët gjermanë do të shpërblehen me 150 mijë euro secili, ndërsa do t’i fitojnë nga 200 mijë euro nëse përfundojnë në vendin e tretë.
Disfata në finale do t’ua siguronte atyre nga 250 mijë euro.
“Biseduam zellshëm në një atmosferë konstruktive dhe të mirë”, tha presidenti i DFB-së Neuendort, pas një takimi me Manuel Neuer, Thomas Muller, Joshua Kimmich dhe Ilkay Gundogan, përfaqësuesit e lojtarëve të Kombëtares.
“Në fund e kemi gjetur një situatë të pranueshme për të gjithë”, nënvizoi ai.
Gjermania, megjithatë, nuk është në formën më të mirë në prag të Botërorit, pas një fushate të dështuar në Ligën e Kombeve, ku në pesë ndeshje e arriti vetëm një fitore dhe si pasojë nuk arriti të kualifikohet në gjysmëfinale.

