Lojërat Evropiane: 38 sportistët kosovarë kthehen pa medalje - NACIONALE

Lojërat Evropiane: 38 sportistët kosovarë kthehen pa medalje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova ka dështuar ta fitojë qoftë edhe një medalje në Lojërat Evropiane 2023, megjithëse u përfaqësua nga 38 sportistë në fusha të ndryshme gjatë një muaji gara në Poloni.

Arritja më e madhe në Lojërat Evropiane 2023 për Kosovën ishte vendi i pestë, të cilin e zuri boksierja Donjeta Sadiku.

Sadiku, 23 vjeçe, u mposht nga Estelle Mossely, kampionia olimpike nga Rio 2016, në kategorinë deri 60 kilogramë.

Kjo ishte hera e parë në tri edicione që Kosova i mbyll këto lojëra pa fituar asgjë.

Kosova u përfaqësua me 38 sportistë të tetë sporteve të ndryshme.

Këto Lojëra në Poloni ishin edhe një mundësi e mirë për sportistët kosovarë për ta siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024.

Ndërkohë, një sportist tjetër kosovar që ka mundur t’i sillte vendit medalje të artë, e bëri një gjë të tillë për Shqipërinë.

Alvin Karaqi u shpall kampion i Evropës në karate nën flamurin kuqezi.

Karaqi, i cili në të kaluarën e kishte përfaqësuar Kosovën, e mundi holandezin Brian Timmermans 3:2 në kategorinë kategorinë deri 84 kilogramë, për ta shkruar historinë për Shqipërinë, duke ia fituar medaljen e parë të artë në Lojërat Evropiane.

Karaqi, 30 vjeç, ishte keqtrajtuar në Kosovë dhe ishte detyruar të largohej nga përfaqësimi i vendit, para se të vendoste ta përfaqësonte Shqipërinë.

Lajme të ngjashme