Llapi - Prishtina: Thirrje raciste, shumë fara e shumë pak futboll - NACIONALE

Llapi - Prishtina: Thirrje raciste, shumë fara e shumë pak futboll

2 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Gjëja e parë që më ra në sy derisa po silleshim vërdallë stadiumit “Zahir Pajaziti” me kolegun tim fotograf Valdrin Xhemaj në kërkim të një vendparkingu, ishin pika të shumta të shitjes së farave dhe thirrjet e zakonshme të shitësve “hajde fara”.

Gjithmonë e kam vrarë mendjen përse tifozët kosovarë e kalojnë një kohë të madhe duke kërcitur fara në shkallët e stadiumeve në vend se të përqendrohen në shikimin e lojës.

Tani e di. Pasi e pashë me vëmendje nga afër përballjen e shumëpërfolur gjysmëfinale mes Llapit dhe Prishtinës, nuk do t’i fajësoja ata. T’i kalosh 90 minuta i ulur në tribuna i padëfryer nga ajo çfarë sheh në fushë, instinkti të kërkon ta kalosh kohën e mërzitshme disi, nëse jo të largohesh shumë para kohe për t’u mos u kthyer më.

Dhe Llapi e Prishtina nuk bënë asgjë për t’i argëtuar, e aq më pak për t’i merituar rreth pesë mijë shikues në ndeshjen e tyre.

Prishtina e kishte fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale 2:1 javën e kaluar dhe ndeshja e kthimit në Podujevë do të merrte vëmendje më të madhe dhe Llapi u sigurua mirë që ta mbushte stadiumin me rreth 5 mijë tifozë, në kërkim të arritjes së finales së dytë radhazi.

Sapo lojtarët e futën në fushë dhe u rreshtuan para publikut, tifozët e Llapit, të njohur si Legjendat, e kënduan himnin kombëtar të Shqipërisë. Ku? Në një ndeshje shtetërore të Kosovës, sikur Kosova nuk e ka himnin e vet. Lojtarët e të dy skuadrave e nderuar kërkesën e tifozëve vendas për ta kënduar himnin e Shqipërisë njerëzi me ta.

Për çudinë time, sapo filloi ndeshja shpërthyen edhe fishekzjarrët sikur ndeshja të ketë mbaruar në ato çaste dhe llapjanët po i gëzoheshin kalimit në finale.

Dyzet e pesë minutat e parë u dukën sikur një ndeshje e tërë, me lojë të dobët nga të dy anët dhe me vonesa e simulime të vazhdueshme. Ishte tepër zhgënjyese për mijëra tifozë të pranishëm dhe për mua.

Prishtina u përpoq ta shënojë golin që mund t’ia kishte prerë këmbët llapjanëve, kryesisht përmes kundërsulmeve dhe Otto John. Llapi, ndërkohë, nuk krijoi mundësi serioze në pjesëlojën e parë.

Kur durimi i tifozëve kishte nisur të humbiste për shkak të ndërprerjeve të shpeshta dhe lojës së mërzitshme, Bianor i ngriti mijëra tifozë vendas në këmbë kur shënoi nga afërsia pas një harkimi kur akrepat shënonin pothuajse një orë lojë në Podujevë.

Vizitorët shfaqën lodhje dhe vendasit u nxitën nga goli i epërsisë, i cili do t’iu mjaftonte vetëm për ta çuar ndeshjen në vazhdime, dhe përkrahja e tifozëve për t’i shtuar përpjekjet për golin e dytë dhe të finales.

Rivera, i cili e kishte kaluar shumicën e kohës në tokë duke u ankuar, u shndërrua në hero për Llapin duke e mposhtur portierin Haxho me një goditje brenda zonës, pasi u shërbye nga Valmir Veliu. Ky aksion i ndërtuar nga skuadra e Tahir Batatinës ishte gjëja e vetme e bukur në këtë takim.

Nga ky çast, ndërprerjet e shpeshta të lojës, humbja e kohës nga gjyqtarët e VAR-it dhe simulimet e lojtarëve vendas e bënë ndeshjen edhe më monotone.

Llapi ia doli ta mundë 2:0 Prishtinën dhe të kalojë në finale, ku e pret Drita.

“O çetnik, ec hin në kolibe”

Të ngazëllyer nga loja e ekipit të vet dhe të mllefosur me kundërshtarin, disa tifozë vendas e humbën arsyen, duke bërë thirrje raciste ndaj lojtarëve me ngjyrë të Prishtinës dhe veçanërisht ndaj trajnerit boshnjak Abdulah Ibrakoviq.

Ibrakoviq ishte shumë i zëshëm në ankesat e tij ndaj gjyqtarit dhe qëndroi tërë kohën në këmbë jashtë stolit për t’iu dhënë udhëzime lojtarëve të tij.

“O ti çetnik”, “Ec hin në kolibe more çetnik”, “Kqyre more po i zi qiky”, “Cu more i zi shko luj në shtetin tand, çka ke lyp këtu”.

Është e natyrshme në një ndeshje futbolli t’i dëgjosh tifozët duke sharë kundërshtarët, por ofendime racore ndaj trajnerit nga Bosnja dhe lojtarëve me ngjyrë janë të shëmtuara.

Në fund, duke e mundur Prishtinën për herë të dytë në të njëjtin rreth të garës dhe duke e siguruar finalen e dytë radhazi në kupë, të gjithë në Zahir Pajaziti u larguan me buzëqeshje në fytyrë përveç Prishtinës.

Rrugës jashtë stadiumit, tezgat me fara nuk kishin lëvizur vendi.

Lajme të ngjashme