Liverpool në telalshe, s'ka asnjë gjasë që të afrojë lojtarë si De Jong apo Barella
Jurgen Klopp, tek pasi pa që një grumbull lojtarësh i janë lënduar në mesfushë, pranoi se ka nevojë për të blerë një mesfushor. Megjithatë, alternativa të shumta nuk ka në treg. Disa lojtarë është e pamundshëm të blihen.
Lëndimet e shumta në mesfushë kanë zemëruar ambientin e Liverpoolit dhe me raste po interpretohet si një rikthim mbrapa në sezonin 2020/2021, ku probleme të ngjashme e shoqëruar skuadrën vazhdimisht.
Fillimi i kampionatit për Liverpoolin nuk ka qenë prej më të mirëve të mundshme. Njëra prej arsyeve për këto rezultate është përmendur edhe mungesa e alternativave në mesfushë.
Tani trajneri gjerman Klopp është vënë në hall se si të veprojë në orët e fundit të afatit kalimtar, për ta gjetur një lojtar adekuat, i cili do të mund t'i përshtatej skemave të skuadrës.
Fabrizio Romano mohon se Liverpool ka gjasa të afrojë qoftë Barellan apo De Jongun
Dy nga mesfushorët që janë spekuluar se mund të përfundojnë në shënjestër të Liverpool kanë qenë Barella dhe De Jong. I pari për shkak se Inter vazhdon të ketë nevojë që të gjenerojë të hyra nga shitja e lojtarëve dhe nuk mund t'i rezistojë çfarëdo oferteje, pasi bilanci i tij vjetor është në deficit të theksuar.
Kurse, sa i përket De Jong, kur dihen raportet jo shumë të shëndosha që vazhdon t'i ketë tani e disa muaj me klubin aktual, Barcelonën, bëhet çdoherë e më e mundur një largim nga katalonasit.
Sidoqoftë, për ekspertin e transferimeve të lojtarëve, Fabrizio Romano, as njëri e as tjetri nuk mund të transferohen në Liverpool. Madje, sipas këndvështrimit të tij s'ka asnjë gjasë që Liverpool të përforcohet me ndonjërin nga ta.
I gjendur në këtë situatë, 19 herë kampioni i Anglisë po bën përpjekje dëshpëruese që të shohë mundësitë e afrimit të mesfushorit Moises Caicedo nga Brighton.
Drejtuesit e këtyre të fundit njihen si mjaft të vështirë kur vjen çështje te negocimi me lojtarët e tyre. Këtë e ka dëshmuar më së miri rasti me Cucurellan. Një qasje simotër ia kanë bërë të qartë Liverpoolit që prej kohësh.

