Liverpool merr fitoren e dytë radhazi në Premierligë, triumfon ndaj Newcastle United
Liverpool ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme në garën për top katërshe, duke mposhtur në udhëtim Newcastle Unitedin në kuadër të xhiros së 24-të në Premierligë.
"Reds" dominuan nga minuta e parë dhe me plot meritë mund të themi se arkëtuan pikët e plota.
Trent Alexander-Arnold pas vetëm 10 minutave lojë asistoi për mrekulli te Darwin Nunez, i cili kaloi Liverpoolin në epërsi (10').
Vetëm shtatë minuta më vonë, mysafirët krijuan një tjetër aksion të shpejtë me Mohamed Salah që gjeti të "harruar" Cody Gakpon, me këtë të fundit që e dërgoi në rrjetë (17').
Situata u vështirësua për Newcastle United pasi portieri Nick Pope u ndëshkua direkt me karton të kuq pasi ndërpreu një aksion duke prekur topin me dorë jashtë zonës (24').
Newcastle kishte edhe disa raste shënimi përmes Saint-Maximin dhe Burn, mirëpo goditjet e të dy lojtarëve arriti t'i ndalë Alisson Becker.
Pjesa e dytë ishte shumë më e qetë meqenëse dy skuadrat provuan ndërtimin e disa aksioneve, por nuk i finalizuan.
Kështu, Liverpool merr fitoren e dytë radhazi në Premierligë dhe ngritët në pozitën e tetë me 35 pikë, derisa Newcastle United qëndron në pozitën e katërt me 41 sosh.
Në xhiron e radhës në kampionatin anglez, Liverpool është myasfir i Crystal Palace, derisa Newcastle United do të pushojë pasi ndeshja me Brightonin është shtyrë.