Liga e Konferencës: Ballkani përballet me Slavia Prahan sot, në kërkim të fitores së parë në grup
Ballkani do ta kërkojë fitoren e parë në një ndeshje të fazës grupore në Ligën e Konferencës kur të përballet sonte me Slavia Prahan në Çeki, pas pikës historike që e mori në debutim kundër Cluj.
Ndeshja e rrethit të dytë të Grupit G mes kampionit të Kosovës dhe Slavias zhvillohet në Aden Arena në Pragë, në orën 18:45.
Ballkani – klubi i parë kosovar që kualifikohet në një garë të madhe evropiane – debutoi në Ligën e Konferencës me barazim 1:1 kundër Cluj javën e kaluar në Prishtinë.
Përballja me Slavian – e cila po ashtu barazoi 1:1 me Sivassporin në ndeshjen hapëse – shihet si më e vështirë për klubin nga Suhareka.
Asnjë klub kosovar nuk a shënuar fitore më parë në një ndeshje të fazës grupore në garat evropiane dhe Ballkani ka mundësinë ta bëjë këtë i pari si skuadra e vetme e kualifikuar deri tani.

“Do të luajmë kundër favoritit të grupit tonë, kundër një skuadre të shkëlqyer me shumë lojtarë me përvojë në ndeshje të tilla. Por ne do ta tregojmë më të mirën tonë”, tha Daja në një konferencë për media para ndeshjes të mërkurën.
“Asgjë nuk bëhet me e lehtë për ne. Çdo gjë bëhet më e vështirë. Mirëpo ne bëhemi më të mirë dhe më të fortë. Futbolli është një sport situate.”
Daja tregoi se skuadra e tij do të përballet me disa mungesa të rëndësishme, pa dhënë hollësi, megjithatë.
“Lëndimet nuk mund të shmangen. Ne nuk kemi kontingjentin e plotë. Kemi mungesa në të njëjtin repart, që e bën akoma edhe më të vështirë (refuzoi t’i cekë se cilat janë ato), por do të mundohemi t’i kompensojmë mungesat që kemi”, përfundoi ai.
Gjërat në grupin G janë të barabarta, pas javës së parë, pasi Ballkani, Slavia dhe Sivasspori të gjitha kanë nga një pikë pas javës së parë.

