Lewandowski i zemëruar me sagën e transferimit të Messit
Robert Lewandowski ka thënë se saga e transferimit të Lionel Messit në Barcelonë e ka zemëruar për shkak të lajmeve kundërthënëse nëpër media.
Sulmuesi i Polonisë Lewandowski, i cili iu bashkua Barcelonës më 2022, sugjeroi se kishte lajme kundërthënëse rreth kthimit të mundshëm të Messit në klub çdo ditë, para se argjentinasi t’i kalonte edhe zyrtarisht në Inter Miami në MLS.
Lewandowski pretendoi se lajmet në lidhje me gjigantin katalonas shpesh sajohen nga njerëzit në media.
Duke folur për TVP Sport, polaku theksoi: “Nuk ka kuptim ta ndjekësh një informacion që të thotë se sot ka 90 për qind mundësi se ai do të vijë dhe të nesërmen thotë se 10 për qind”.
“Është e vështirë t’i ndjekësh informacionet rreth Barcelonës. Shumë herë ato sajohen nga ata që shkruajnë mirë apo keq për Barcelonën. Kur doja të dija informacione, e dija kë të thërrisja dhe e dija se si ishte gjendja, pyesja cilat ishin mundësitë”, shtoi ai.
Muajin e kaluar, ai e shprehu dëshirën për të luajtur përkrah Messit në Barcelonë kur u bë e ditur se argjentinasi nuk do ta vazhdonte marrëveshjen me Paris Saint-Germainin.
Përfaqësuesit e Messit mbajtën takime me drejtuesit e Barcelonës por kthimi i tij në Camp Nou nuk u arrit.

