Legjenda gjermane Matthaus: Ronaldo është dështaku i Kupës së Botës, Messi lojtari i mijëvjeçarit
Legjenda gjermane Lothar Matthaus, e ka cilësuar Cristiano Ronaldon si dështakun më të madh të Kupës së Botës 2022, derisa rivalin e tij kryesor Lionel Messi e ka quajtur fituesin më të madh dhe lojtarin e mijëvjeçarit.
Ronaldo e shënoi vetëm një gol nga penalltia dhe u la rezervist në dy ndeshjet e Portugalisë në fazën e eliminimit, në fitoren kundër Zvicrës në një të tetën dhe në disfatën kundër Marokut në çerekfinale.
Ëndrra e tij për ta fituar Kupën e Botës për herë të parë në karrierë mori fund në mënyrën më të keqe dhe Mattahus, i cili e ka fituar Botërorin me Gjermaninë si futbollist, beson se Ronaldo e ka dëmtuar veten dhe skuadrën me sjelljet e tij gjatë turneut në Katar.
“Me egon tij, Ronaldo e ka dëmtuar ekipin dhe veten. Nuk ka dyshim se ai ka qenë lojtar i madh dhe golashënues absolutisht vdekjeprurës. Po tani ai e ka dëmtuar trashëgiminë e vet”, tha Matthaus për Ronaldon.
Ai shtoi: “Ronaldo është, natyrisht, një dështim i madh i Kupës së Botës, e kundërta e Messit. Messi është fituesi absolut. Ai e meriton këtë sepse më ka dhënë mua dhe të gjithë tifozëve të futbollit lumturi të madhe me cilësitë dhe me mënyrën se si ka luajtur që 17 apo 18 vite. Për mua, Messi është lojtari i mijëvjeçarit”.

Ronaldo është pa klub tani për tani, pasi muajin e kaluar Manchester Unitedi ia ndërpreu kontratën pas intervistës në të cilën e kritikoi klubin dhe trajnerin.
Matthaus nuk beson që ka ndonjë klub që e dëshiron 37-vjeçarin tani: “E kam të vështirë ta besoj se ai do të gjejë vend në ndonjë ekip. Ndiej keqardhje për Ronaldon disi”.
Kupa e Botës 2022 me gjasë ishte e fundit për Ronaldon dhe Messin.
Messi e vulosi epitetin e lojtarit më të mirë në historinë e futbollit duke e fituar trofeun e vetëm që i kishte munguar gjatë gjithë karrierës së bujshme.
Për Ronaldon, gjithçka ishte krejtësisht ndryshe, sepse ai përfundoi si rezervist në ekipin kombëtar të Portugalisë, pasi e zemëroi trajnerin Fernando Santos me reagimet e tij kur u zëvendësua kundër Koresë Jugore.
Derisa Messi, 35 vjeç, e la të hapur mundësinë për të luajtur në Botërorin e radhës më 2026, Ronaldo do t’i ketë mbushur 41 vjet kur të vijë koha e turneut në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

