Laporta: Dëshirojmë që De Jong të qëndrojë, por duhet ta sakrifikojë pagën vjetore - NACIONALE

Laporta: Dëshirojmë që De Jong të qëndrojë, por duhet ta sakrifikojë pagën vjetore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori 25-vjeç holandez, Frenkie de Jong, ka qenë njëri ndër lojtarët që ka mbushur faqet sportive katalonase, duke u spekuluar për një largim të tij. Laporta ka bërë të qartë se si qëndrojnë gjërat.

I blerë nga Ajax në verën e vitit 2019 për 75 milionë euro, plus 11 milionë euro tjera bonuse, De Jong ishte lojtari tek i cili klubi spanjoll llogariste shumë për të ardhmen.

Pritshmëritë e krijuara rreth tij ishin të mëdha. Fusha nuk është se i arsyetoi ato pritshmëri, pasi holandezi shpesh u pa i margjinalizuar, pa lënë gjurmë të mëdha.

Për fatin e tij të keq, me t'u transferuar te Barcelona, filloi një rënie lineare, qoftë e tij si futbollist, ashtu edhe e Barcelonës si skuadër nga aspekti organizativ, i rezultateve në fushë, si dhe i tkurrjes së përgjithshme.

Kompromisi rreth pagës vjetore

Kontrata e Frenkie de Jong është afatgjate. Mirëpo, paga e tij vjetore është e konsiderueshme. Për këtë arsye Barcelona dëshiron që ta ridefinojë atë, pasi nuk e ka më luksin që të mbajë në ekip shumë lojtarë më paga të larta.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka treguar rreth qëndrimit që ka klubi në lidhje me të ardhmen e mesfushorit holandez.

"Ai dëshiron të qendrojë këtu, njësoj siç dëshirojmë edhe ne. Kjo është gjëja më e rënëdishme. Por, është e qartë që ne kemi disa kërkesa për pagat vjetore dhe të gjithë lojtarët duhet t'u përshtaten", shtoi Laporta.

Ai në vazhdim të prononcimit të tij ka treguar se cili është realiteti financiar i klubit dhe çfarë duhet të kuptojnë lojtarët nga gjithë ky riorganizim.

"Po mundohemi që t'ua shpjegojmë lojtarëve se cila është situata e vërtetë e klubit nga aspekti financiar, ku duhet që të shkurtohen pagat vjetore për 40%. Të gjithë duhet ta bëjmë një sforcim. Ne do të bëjmë çmos për ta mbajtur në gjirin tonë dhe shpresojmë se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe lojtari", përfundoi ai.

Frenkie de Jong gjatë këtyre javëve është lidhur me një kalim të mundshëm te Manchester United, aty ku tashmë në krye të stolit është Erik ten Hag, i cili ishte trajner i mesfushorit 25-vjeçar, kur ky i fundit luante te Ajax.

Gjithsesi, dëshira e lojtarit mbetet ajo e njëjta si dikur: qëndrimi në Barcelonë për t'u afirmuar edhe më shumë.

Lajme të ngjashme