"Ky nuk është një vend për juve" - Yllit të Serie A Zapatas s'i lejohet hyrja në bankë shkaku i veshjes - NACIONALE

"Ky nuk është një vend për juve" - Yllit të Serie A Zapatas s'i lejohet hyrja në bankë shkaku i veshjes

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e çuditshme i ka ndodhur yllit kolumbian të Atalantas, Duvan Zapata. Ai është penguar të hyjë në bankë nga sigurimi gjegjës, i cili e ngatërroi me ndonjë person që mund të përbënte rrezik.

Për Duvan Zapata ishte një ditë jo e zakonshme. Sulmuesi i Atalantas pa veten duke u bllokuar nga sigurimi i bankës në Bergamo.

Mediet italiane raportojnë se ishte stili i veshjes së Zapatas ai që provokoi në syrin e personave të sigurimit reagimin e menjëhershëm, duke ia penguar hyrjen në seli të bankës.

“Ku po mendon të shkosh kështu? -Ky nuk është një vend për juve. Ikni diku tjetër!”; -kështu iu kanë drejtuar personat e sigurimit yllit të Atalantas. Sipas “Gazzetta Dello Sport” ky i fundit është përpjekur që t’ua shpjegojë atyre se kush ishte, duke i njoftuar me të dhënat identifikuese të tij.

As ky detaj nuk ka mjaftuar. Gjithë kjo zënkë ka zgjatur disa çaste. Është nevojitur ndërhyrja e menaxherit të selisë së bankës “Fideuram” për t’i qetësuar gjakërat, duke ua shpjeguar nëpunësve të tij, gjegjësisht sigurimit, se Zapata është një klient.

Menaxheri i bankës ka sqaruar të gjithë ngjarjen: “Duvan (Zapata) është një klient i yni, por sigurimi nuk mund ta dinte. Personat e sigurimit thjesht ishin duke e bërë punën e tyre, duke garantuar një shërbim të vrojtimit në një hapësirë mes hyrjes në bankë dhe distancës me rrugën.”

Paragjykimi në bazë të veshjes

I mbuluar me një kapelë, me një tutë të gjatë dhe një stil veshje çfarë ai pëlqen – Zapata ka hutuar tërësisht personat që mirren me sigurimin në objektin e bankës respektive.

Shtypi italian e ka quajtur të çuditshëm këtë qasje ndaj Zapatas nga ata që penguan atë që ta kryente në një shërbim krejtësisht të përligjur.

“Dyshimi që lind është spontan: ose njëmend kush ishte në shërbim (nga sigurim) nuk di asgjë rreth futbollit, ose është tifoz i ndonjë skuadre tjetër”, shkroi në fund të raportimit gazeta më e madhe, “Corriere Della Sera”.

Ky nuk është rasti i parë që futbollistët me ngjyrë ngatërrohen me persona tjerë kur dalin jashtë në kapacitet civil.

Një rast i ngjashëm, ose akoma më i vrazhdë, i kishte ndodhur muaj më parë edhe mesfushorit Bakayoko. Atij për disa minuta i ishin vendosur edhe prangat në qendër të qytetit të Milanos.

Policia italiane e kishte ngatërruar me një person të cilin ishin duke e kërkuar për disa vepra penale që kishte shkaktuar. Një episod sa dramatik, aq i çuditshëm – që kishte zënë ballinat e medieve italiane gjatë korrikut që lëmë pas.

Zapata akoma nuk ka reaguar për atë çfarë i ka ndodhur sot. Mësohet se atij në kushte konfidenciale i është kërkuar falje nga zyrtarët e bankës respektive.

Lajme të ngjashme