Kush janë dy shqiptarët që luajnë për La Fioritan - NACIONALE

Kush janë dy shqiptarët që luajnë për La Fioritan

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kundërshtari i Ballkanit në raundin e dytë të Europa Conference League, La Fiorita, në radhët e tyre ka dy lojtarë nga Shqipëria, ata janë Ariljo Hoxha dhe Enea Jaupi.

La Fiorita sot zhvillon ndeshjen e kthimit ndaj Ballkanit në Fadil Vokrri me fillim nga ora 20:00, dhe në përbërjen e saj të mangët ka edhe dy futbollistët shqiptarë.

Enea Jaupi luan si qendërsulmues dhe është 28-vjeçar. Në La Fiorita ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje pasi që tani është transferuar si lojtar i lirë nga skuadra tjetër nga San Marino, Fiorentino.

Në ndeshjen e parë ndaj Ballkanit ishte i ftuar por që nuk u inkuadrua në lojë për asnjë minutë të vetëm, ndërsa tani shpreson të paraqitet.

28-vjeçari posedon dy nënshtetësi, atë të San Marinos dhe Shqipërisë. Si rrjedhojë ai ka gjashtë paraqitje në Kombëtaren B të sanmarinezëve, ku ka shënuar gjashtë gola.

E tërë karriera e tij ka kaluar në San Marino, duke luajtur në disa skuadra, herë në kategorinë e parë e herë në kategoritë më të ulëta.

Në përgjithësi ai ka 58 paraqitje, në të cilat ka shënuar 27 gola dhe ka asistuar dy herë për bashkëlojtarët, ndërsa vetëm në elitën e San Marinos në 37 paraqitje ka shënuar 16 gola.

Sezoni më i mirë i tij ishte ai i vitit 2016/17, me skuadrën Fiorentino, ku ishte një nga futbollistët kryesor duke luajtur 83 minuta për ndeshje si mesatare në 18 takime, atë kohë shënonte shtatë gola.

Futbollisti tjetër shqiptar është Ariljo Hoxha, i cili është vetëm 17-vjeçar dhe luan në pozitën e mesfushorit.

Hoxha iu bashkua Fioritas në Janar të këtij viti, fillimisht me një kontratë gjashtëmujore, por që ende vazhdon të jetë pjesë e kësaj skuadre, ndonëse nuk ka informacion për zgjatjen e kontratës, pasi që ajo paraprakja i ka skaduar më 30 qershor.

Edhe Hoxha si Jaupi, në ndeshjen e parë kundër Ballkanit ishte në bankën rezervë, duke mos pasur asnjë minutë të zhvilluar dhe sonte ka shpresa që ta bëjë paraqitjen e parë në një garë evropiane pas disa mungesave të theksuara të skuadrës sanmarineze.

17-vjeçari në kampionatin elitar të San Marinos, me La Fioritan, ka vetëm dy paraqitje, të dy këto si i inkuadruar në lojë në fund të takimeve, në njërën ndeshje 15 minuta dhe në tjetrën ndeshje 18 minuta, duke mos prodhuar ndonjë gol apo asistim për bashkëlojtarët.

Lajme të ngjashme