Ballkani "shpartallon" La Fioritan, me një 'këmbë' në rrethin e tretë të Conference League - NACIONALE

Ballkani "shpartallon" La Fioritan, me një 'këmbë' në rrethin e tretë të Conference League

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani ka shënuar fitore bindëse në udhëtim te La Fiorita në kuadër të rrethit të dytë të Conference League.

"Xhebrailat" triumfuan me rezultat bindës 0:3 ndaj kampionit të San Marinos, duke zhvilluar paraqitje të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet.

Pas eliminimit nga Zalgiris, skuadra e Ilir Dajës kreu punën me sukses për të fituar ndeshjen e parë në Conference League.

Qysh në fillim, mysafirët u treguan shumë të rrezikshëm duke rrezikuar disa herë radhazi, por që vendasit shpëtuan falë portierit.

Mirëpo, zhvillohej minuta e gjashtë kur Armend Thaqi gjeti për mrekulli Meriton Korenicën i cili me një goditje të bukur nga distanca, që u devijua në fund kaloi Ballkanin në epërsi.

Skuadra kosovare vazhdoi me sulmet e njëpasnjëshme dhe arriti të dyfishojë rezultatin pas një tjetër super aksioni. Gripshi te Thaqi, e mbrojtësi te Albion Rrahmani që e kishte të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë.

Ballkani kishte edhe disa mundësi siç ishte rasti i Ermal Krasniqit që kaloi edhe portierin, por nuk e konkretizoi në fund me mbrojtësin, i cili e largoi topin nga rrjeta në çastet vendimtare.

Nga ana tjetër, La Fiorita provoi disa herë vetëm përmes kundërzbritjeve por që ishte shumë larg golit, me mbrojtjen e kampionit të Kosovës që ishte gjithmonë në vendin e duhur. Kështu, rezultati i kësaj pjesë mbeti 0:2

Paraqitja mbresëlënëse e Ballkanit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku shënuan edhe dy herë për të vulosur fitoren e thellë.

Ishte sërish Albion Rrahmani që gjeti rrugën drejtë rrjetës, duke shënuar nga afërsia pas një topi të kthyer nga goditja e Korenicës nga distanca (50’), i cili goditi shtyllën.

Fitoren e madhe të Ballkanit që i jep një qetësi të plotë edhe për ndeshjen e dytë, e vulosi talenti Albin Berisha me një gol nga afërsia (73').

Vetëm shtatë minuta pas inkuadrimit Berisha arriti të vjedhë një top në mbrojtje dhe pastaj lehtësisht e konkretizoi në rrjetë për epilogun përfundimtar 0:4.

Kështu, me këtë fitore Ballkani mund të thuhet se ka avancuar në rrethin e tretë kualifikues për Conference League.

“Xhebrailat” tani do të mirëpresin kampionin e San Marinos në “Fadil Vokrri”, por që një përmbysje mund të thuhet se është e ‘pamundur’.

Kujtojmë, se në xhiron e tretë të Conference League, ekipi i Ilir Dajës do të ketë përballë me fituesin i ndeshjes mes FK Sutjeska dhe Kl-Klaksvik.

Ndërkohë, përpos Ballkanit këtë javë do të luajë edhe nënkampioni i Kosovës, FC Drita më saktësisht këtë të enjte ndaj klubit të madh belg, Royal Antwerp.

Lajme të ngjashme