Kosova U21 nikoqire e Izraelit në Podujevë, Kosova U19 luan në udhëtim te Malta për ta siguruar vendin e parë - NACIONALE

Kosova U21 nikoqire e Izraelit në Podujevë, Kosova U19 luan në udhëtim te Malta për ta siguruar vendin e parë

9 muaj më parë

nga Vivianit Gërguri

Sot është dita e Kosovës në futboll, aty ku Kombëtarja A, U19 dhe U21, do të zhvillojnë ndeshjet kualifikuese për EURO. Grupmoshat U19 dhe U21 ende kanë shanset për një kualifikim tutje, pasi skuadra e parë këtë mundësi e humbi me paraqitje të dobëta në fillim të ciklit kualifikues.

Fillimisht Kosova U21 do ta presë Izraelin për kualifikueset në EURO 2025, në stadiumin Zahir Pajaziti, në Podujevë, me fillim nga 13:00.

Djemtë e drejtuar nga Afrim Toverlani e zhvillojnë ndeshjen e gjashtë të tyre në këtë cikël kualifikues, me pesë ndeshjet e para që nuk kanë përfunduar me rezultate e pritura, pra me dy barazime, dy humbje dhe vetëm një fitore, por ende mbeten me gjasa, ndonëse e kanë tejet të vështirë.

Kundërshtari i Kosovës U21, pra Izraeli U21, ka zhvilluar vetëm dy ndeshje deri më tani, dhe të dyja këto i ka humbur (Polonisë dhe Bullgarisë).

Momentalisht, Kosova U21 zë vendin e katërt në grup me pesë pikë të grumbulluara, me Bullgarinë që ka gjashtë, Gjermaninë nëntë pikë dhe liderja Polonia me 12 pikë.

Kosova U19 për një vend në Elite Round

Punët më së miri i ka Kosova U19, sa i përket kombëtares. Grumbullimi i udhëhequr nga trajneri Adil Maliqi, ka treguar paraqitje të jashtëzakonshme në dy paraqitjet e para dhe sot në Malta do të luajnë për vendin e parë, që ju siguron djemve pozitë më të mirë në Elite Round, pra një fazë pranë kualifikimit në EURO 2024.

Ndeshja kundër Maltës U19 do të zhvillohet në udhëtim sot, me fillim nga ora 14:30.

Për Kosovën U19 është e rëndësishme të vazhdohet me fitore, për të marrë vendin e parë në grup, por edhe me barazim ka gjasa të mëdha ta sigurojë një vend në Elite Round.

Momentalisht, të drejtuarit nga Adil Maliqi, janë në vendin e parë në tabelë, pas dy ndeshjeve, kjo pas një fitore të jashtëzakonshme 4:0 ndaj Ukrainës dhe një barazim me Sllovakinë 1:1.

Elite Round është faza tjetër kualifikuese, e cila dërgon në EURO 2024 për gjeneratën U19, dhe me paraqitjet e treguara të të rinjve kosovarë, është e sigurt që nuk do të luhet vetëm për ‘sy e faqe’, pasi është parë cilësia e madhe që posedojnë për të garuar edhe me fuqi më të mëdha.

Lajme të ngjashme