Kosova U21 e pëson në fund nga Bullgaria, merr një pikë në Sofje
Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar një gol të vonshëm, duke dështuar t'i fitojë pikët e plota në udhëtim Bullgarinë U21.
“Dardanët” e rinj të drejtuar nga Afrim Tovërlani zhvilluan paraqitje fantastike, por që rezultati përfundimtar doli të jetë 1:1.
Kosova e nisi për mrekulli duke kaluar në epërsi përmes sulmuesit të Dritës Ardit Tahiri, që realizoi nga pika e bardhë (8').
Kosova shumicën e kohës ishte më e mirë se bullgarët duke pasur më shumë raste shënimi, por që s’i finalizuan.
Situata për mysafirët u vështirësua pasi Andi Hoti mori një karton të kuq pas një ndërhyrje, ku pastaj Bullgaria e shtoi presionin dhe e barazoi rezultatin me anë të Martin Sorakov (90+2').
Me këtë pikë, Kosova renditet në pozitën e katërt në tabelë me katër pikë derisa Bullgaria zë vendin e tretë me pesë sosh.
Kosova në muajin nëntor do të përballet sërish me Bullgarinë, ku kësaj radhe do t’i presin në “Fadil Vokrri” ndërsa katër ditë më vonë i shkojnë Izraelit.