Kosova U19 e Maliqit e nis me barazim rrugëtimin për Evropian ndaj Sllovakisë - NACIONALE

Kosova U19 e Maliqit e nis me barazim rrugëtimin për Evropian ndaj Sllovakisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës U19 ka barazuar në ndeshjen hapëse në kuadër të kualifikimeve për Kampionat Evropian ndaj Sllovakisë U19.

“Dardanët” e rinj bën një paraqitje solide, ani pse nuk arritën t’i arkëtonin pikët e plota.

Ndeshja ishte mjaftë e baraspeshuar me të dy skuadrat që kishin raste shënimi, por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1:1.

Mesfushori Tadeas Hajovsky kaloi mysafirët në epërsi pas 22 minutave duke shënuar nga afërsia pas asistimit të Masarykt.

Kosova tentoi gjatë tërë pjesës së parë që ta barazojë rezultatin, mirëpo aksionet ishin të pasuksesshme.

Sidoqoftë, në fillimin e pjesës së dytë Kosova fitoi një penallti pas një ndërhyrje të Oravec brenda zonës te Elvir Gashijan.

Nga pika e bardhë i pagabueshëm rezultoi të jetë qendërsulmuesi i Stuttgartit, Eliot Bujupi për të barazuar rezultatin (48’).

Të dy kombëtaret tentuan deri në fund që të gjenin golin e fitores, por iu mungoi finalizimi.

Kësisoj, Sllovakia U19 dhe Kosova U19 zënë pozitat dy respektivisht tre me nga një pikë, kurse lider mbetet Ukraina me tre sosh derisa Malta është pa pikë.

Në xhiron e radhës, që i bie pas tre ditëve “Dardanët” e rinj përballen me Ukrainën derisa Sllovakia me Maltën.

Kujtojmë, dy kombëtaret e para avancojnë në rrethin e dytë të kualifikimeve derisa pozita e tretë shpreson përmes play-offit.

Lajme të ngjashme