Kosova U19 me një këmbë në Elite Round, punë e shkëlqyer nga Adil Maliqi
Kombëtarja U19 e Kosovës pak orë më parë bëri diçka që Kombëtarja A nuk po arrin ta bëjë kohët e fundit. Një paraqitje e jashtëzakonshme e futbollistëve të rinj të drejtuar nga Adil Maliqi, ia solli kësaj gjenerate fitoren e parë në grup 4:0 ndaj Ukrainës, që ishte favorite në letër.
Kosova U19 ditë më parë mori një barazim me Sllovakinë, ndonëse merituan më shumë nga paraqitja që treguan, por në ndeshjen e sotme nuk lanë hapësirë për asgjë, pasi dominuan një nga kombëtaret më të forta në grup, kështu duke kaluar me një këmbë në Elite Round.
Elvir Gashijan i Llapit ishte fantastik, ku shënoi dy herë (22’ dhe 79’), ndërsa nga një herë shënuan Eliot Bujupi (64’) dhe Elmedin Rama (90+2’), për rezultatin përfundimtar 4:0.
Kjo fitore e pastër e çoi Kosovën U19 në krye të grupit dhe tashmë i ka mbetur vetëm një përballje për ta zhvilluar, kundër Maltës pa pikë, për ta vulsour vendin e saj në Elite Round, pra një fazë para kualifikimit në Kampionat Evropian.

Dora e Adil Maliqit është vërenjtur shumë shpejt në Kombëtare, por kontribut të madh kanë dhënë edhe futbollistët e rinj që akoma janë pjesë e skuadrave kosovare, e që sot ishin bërthama kryesore e skuadrës.
Kosova U19 mjafton të mos humbas me rezultat të thellë nga Malta, ndonëse janë favoritë në ndeshje, për t’u kualifikuar tutje.

Përballja Malta U19 – Kosova U19 zhvillohet këtë të martë, me fillim nga ora 14:30.
