Kosova së shpejti me sponsor të ri të fanellave, flasin nga FFK dhe njohës të fushës - NACIONALE

Kosova së shpejti me sponsor të ri të fanellave, flasin nga FFK dhe njohës të fushës

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Pak ditë pas vdekjes së ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, shtëpia e futbollit të Kosovës nënshkruajti kontratën e sponsorizimit për fanellat e reja me kompaninë zvicerane Fourteen. Një ditë para se të vdiste, Fadil Vokrri kishte arritur marrëveshje me ta - siç do të tregonte më vonë vetë drejtori i saj. Pas katër vitesh, marrëveshja me sponsorin helvet është në përfundim e sipër. Tani ka filluar gjuetia për emrin i kompanisë së re që do të përkujdeset për veshjet e Kombëtares së Kosovës. Ndërkohë, për bilancin e deritanishëm dhe për atë se çfarë do të ngjajë, për gazetën Nacionale janë deklaruar nga FFK përmes Alba Morinës, drejtoreshë e marketingut, Fatos Berisha, regjisor dhe njohës i marketingut , si dhe Erman Belegu, tifoz i kombëtares, i cili rrëfeu një përvojë të hidhur me kompaninë në fjalë.

Fourteen ishte prezantuar me shumë pompozitet. Njëra ndër premtimet e asaj dite të prezantimit ishte se fanella e re e Kosovës do të ishte anti-bakteriale, pa azot dhe tre dimensionale. Fjalë dhe premtime në ajër do të rezultonin në muajt dhe vitet në vijim. Më shumë sesa tre dimensionale, problemet e trashëguara dhe shkaktuara nga kjo kompani ishin shumëdimensionale. Ankesa të shumta nga të gjitha anët. Nga tifozët, deri te vetë lojtarët. Sipas kontakteve që kam pasur me shumë lojtarë të Kombëtares së Kosovës, ata vazhdimisht kanë vënë theksin te problemet banale për një karakter të tillë sponsorizimi.

Përveç kësaj, kemi të bëjmë edhe me vonesa të panumërta të dërgesave të fanellave nga kjo kompani për të gjithë ata që i porosisin. Madje, janë shënuar edhe raste të gabimeve qesharake, siç bie fjala - ngatërrimi i numrave, etj. Një dëshmi të tillë na pasqyroi edhe një tifoz i Kombëtares së Kosovës.

"Me datën 9 shtator 2019, e kam bërë porosinë e një fanelle të Kosovës në faqen zyrtare të Fourteen. Kompania ka pasur probleme me postë dhe ajo ka ardhur tek me datën 28 shkurt 2020, pas shumë e-maileve dhe telefonatave. Pra, pas 172 ditëve dhe gjithashtu ishte me madhësi më të vogël, për çka nuk kisha mundësi as ta vishja. Zhgënjyese kur po flasim për një fanellë me çmim 89 euro", theksoi për gazetën Nacionale Erman Belegu, një tifoz i zjarrët i Kombëtares së Kosovës.

Flasin nga FFK: Do të ketë dyqan fizik - ka ofertues të shumtë për të qenë sponsor teknik i fanellave

Gjithsesi, tashmë jemi në vitin e fundit të vlefshmërisë së marrëveshjes mes FFK-së dhe Fourteen. Veçse kanë filluar edhe angazhimet e para drejt sigurimit të një marrëveshjeje të re, me një kompani të re. Diçka të tillë e ka bërë të ditur edhe drejtoresha për marketing në FFK, Alba Morina.

"Federata e Futbollit e Kosovës ka një kontratë akoma valide me sponsorin aktual, e cila skadon këtë vit. Normalisht, kompanitë e mëdha dhe serioze përcjellin afatet dhe meqë jemi në vitin kur skadon kontrata, përveç kompanisë aktuale, ka edhe ofertues të tjerë të shumtë, gjë e cila na gëzon tej mase, sepse një interesim i ketillë tregon rritjen e Federatës dhe të Kombëtares tonë", u shpreh ajo.

Në pyetjen sa i përket dizajnit të fanellave dhe se sa vite kontratë do të nënshkruhen me kompaninë e re, ajo u përgjigj:

"Sa i përket dizajneve është Federata e Futbollit ajo që së bashku me art-directors të kompanive punojnë në to. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Fourteen. Asnjë dizajn nuk ka kaluar pa imputetin e ekipit të FFK-së dhe e njëjta gjë do të ndodhë me secilën që do të jetë pasuese.

"Kontratat për sponsor teknik kryesisht bëhen me cikël eliminator. Kështu që, kontrata do të jetë minimalisht 2-vjeçare, me mundësi të zgjatjes", nënvizoi ajo.

Një e metë e madhe e kompanisë aktuale ka qenë edhe mungesa e një pike fizike të një dyqani në Kosovë ku do të shiteshin veshjet e Kombëtares së Kosovës. Ishte përfolur Albi Mall në të kaluarën, por diçka e tillë nuk ngjau asnjëherë. Me marrëveshjen e re pritet që të rregullohet diçka e tillë.

"Po, mund t'jua konfirmoj që do të ketë showroom. Tashmë dy lokacione veçse janë caktuar", tha Alba Morina.

Sot, e bëra një tjetër kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të kompanisë zvicerane dhe çmimi i tanishëm për kë dëshiron që ta blejë një fanellë të Kosovës është plot 99 euro. Ndërkaq, më vonë e bëra një krahasim me ueb faqen e FSHF-së ku është dritarja që të mundëson për porositjen e fanellave të kombëtares së saj dhe çmimi i tërësishëm ishte 69 euro. Pra, 30% më lirë. Një çmim i tillë i lartë që nuk korrespondon aspak me cilësinë e produktit, ka bërë që shumë tifozë të Kombëtares së Kosovës të privoheshin nga mundësia për ta siguruar një fanellë. Nga FFK thonë se do të përpiqen ta rregullojnë çmimin që do të dalë në treg për blerjen e fanellave.

"Normalisht që FFK do të kërkojë nga sponsori teknik që çmimi i fanellave të jetë i arsyeshëm, në mënyrë që secili të ketë mundësi të ketë një fanellë të Kosovës", përfundoi Alba Morina.

Fatos Berisha: Dizajnet e fanellave të jenë unike, e jo gjenerike të prodhuesit

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me regjisorin dhe njohësin e marketingut, Fatos Berisha. Ai përtej kësaj, është përkahës i madh i Kombëtares së Kosovës. Njëherazi, ka qenë ideatori i sloganit mitik "Raised by war, stronger than fear" ("të rritur nga lufta, më të fortë se frika"), i cili u shpalos për herë të parë në ndeshjen kualifikuese ndaj Kroacisë në Shkodër, në vitin 2016, në humbjen që pësonim me rezultat 6:0. Thënë ndryshe, një slogan i tillë u përdor edhe nga kompania Fourteen në dizajnin e ri të fanellave, ku u shfaq në pjesën e sipërme të saj.

Fatos Berisha na foli për shumë detaje, për të cilat sipas tij duhet pasur kujdes me kontraktuesin e ri.


"Identiteti vizuel është shumë i rëndësishëm për secilën kombëtare dhe Kosova nuk duhet të bëjë përjashtim. Dizajnet e veshmbathjeve, stema dhe në përgjithësi imazhi vizuel i kombëtarës së futbollit tejkalon federatën, në kuptimin e interesit dhe interesimit të publikut të gjërë.


"Fanellat sportive dhe stema mbi të, përveç që janë pjesë e folklorit të tifozerisë, ato bëhen pjesë e garderobës personale të miliona bashkëvendasve dhe barten me krenari. Andaj, federatat kanë obligim të kujdesen që dizajnet të reflektojnë traditën, kërkesat e tifozerisë dhe të jenë konform formateve bashkëkohore vizuale", shtoi Berisha.

Ai u shfaq mjaft kritik dhe i pakënaqur me përvojën që Kombëtarja e Kosovës ka pasur me dy kompanitë e fundit, Kelme dhe Fourteen. Me theks të veçantë kritikoi përzgjedhjen e kompanisë Fourteen, që për të ka qenë vendim i çuditshëm që në atë kohë.

"Kosova nuk ka pasur fat me përzgjedhjen e prodhuesve të fanellave në të kaluaren. Dy kompanitë prodhuese që u kontraktuan nga FFK prej hyrjes në UEFA dhe FIFA deri tash (Kelme dhe Fourteen), lënë për të dëshiruar, si në rejtingun e tyre global, ashtu edhe në dizajnet unike të fanellave. Posaçërisht, çaluan në organizimin e shpërndarjes dhe shitjes së fanellave, si dhe rekuizitave tjera.

"Derisa me Kelmen mund të arsyetohen disa lëshime, sepse nuk kishte shumë kohë nga pranimi i Kosovës në UEFA deri te ndeshja e parë garuese me Finlanden, përzgjedhja e kompanisë plotësisht të panjohur në këtë industri, Fourteen, ishte e çuditshme.

"Tani që kombëtarja e Kosovës është bërë mjaft e njohur, sidomos me faktin që disa nga lojtarët tane luajnë në ligat më të forta europiane, besoj që FFK e ka më lehtë të përzgjedhë një prodhues prestigjioz të veshmbathjeve sportive.

"Por, pa marrë parasysh cilado kompani që kontraktohet, duhet të insistohet që dizajnet e fanellave të Kosovës të jenë unike, e jo gjenerike të prodhuesit", deklaroi Fatos Berisha.

Lajme të ngjashme