Kosova ndahet baras ndaj Armenisë në “Fadil Vokrri” - NACIONALE

Kosova ndahet baras ndaj Armenisë në “Fadil Vokrri”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova ka barazuar 2:2 ndaj Armenisë në “Fadil Vokrri”, në një ndeshje ku përzgjedhësi Alain Giresse testoi lojtarët e rinj që kishte ftuar.

Me Visar Bekajn si kapiten, Kosova zbriti në fushë ndaj Armenisë në një miqësore që u bojkotua çuditshëm në një formë nga publiku kosovar.

Në prani të shumë pak shikuesve, Kosova hasi në një vështirësi të madhe që të dilte te loja e vete. Fraksioni i parë i lojës u takoi mysafirëve, që ishin më konkretë dhe më të qartë në lojën e tyre.

Vështirësitë për Kosovën u vunë re që herët. Zhvillohej minuta e 9-të kur Leard Sadriu rrezikoi që të shënonte një autogol në portën e tij, me topin që përfundoi fare pranë shtyllës së lartë.

Armenia ndëshko Kosovën pas një çerek loje nga ai çast. Në minutën e 24-të ishte sulmuesi këmbëshpejtë Shaghoyan ai që depërtoi vrullshëm në zonën e Kosovës. Nga loja teorikisht thënë ranë Krasniqi dhe Dellova.

Pastaj kundër Visar Bekajt sulmuesi armen shënoi pa ndonjë vështirësi të madhe, duke dërguar topin në rrjetë me gjsymë parabolë.

Goditjen e parë të rrezikshme në drejtim të portës kundërshtare Kosova e bëri në minutën e 39-të. Sulmuesi i Gaziantep, Veliu, pasi u shmang horizontalisht në afërsi të zonës, goditi bukur tokazi, por portieri Buchnev bëri një pritje të topi duke larguar topin.

Ekipet shkuan me rezultat 0:1 drejt dhomave të zhveshjes për pauzën 15-minutëshe mes dy pjesëve.

Kosova e nisi më mirë pjesën e dytë dhe për gjysmë orë lojë rriti intensitetin e aksioneve të saj.

Megjithatë, Armenia ishte sërish ajo që u shfaq e para e rrezikshme. Në minutën e 59-të Visar Bekaj neutralizoi mjaft bukur goditjen e fuqishme nga distanca të Bichakhchyan.

Më pas Kosova filloi që të sulmojë shumë. Ishin minuta të mira ato për “dardanët”. Fillimisht në minutën e 61-të Kastrati goditi brenda zonës pas një trekëndëshi të mirë që u ndërtua, por topi u devijua në rivënie këndore.

Një minutë më vonë ishte Muahrrem Jashari ai që provoi ta befasojë portierin mysafir nga rreth 25 metra, por gardiani armenian arriti që ta largojë topin.

Momenti i golit të barazimit erdhi vetëm pas pak minutash. Arianit Ferati hyri në lojë si debutues në minutën e 65-të. Në kontaktin e tij të parë me topin arriti që ta fitojë një penallti, pasi ai u pengua nga mbrapa në brendi të 16-metërshit.

Penalltinë e mori përsipër Lirim Kastrati. Ai e ekzekutoi për mrekulli atë në minutën e 66-të duke barazuar në 1:1.

Kur Kosova duhej që ta rriste akoma edhe më shumë paraqitjen e saj për t’u përpjekur që ta përmbysë rezultatin, ndodhi një tjetër gjë. Loja u shndërrua në shterpe, me dy ekipet që dukeshin të lodhura.

Sidoqoftë, mysafirët sërish arritën që t’i shtangin “dardanët”. Në minutën e 82-të Hovhannisyan përfitoi nga një huti e mbrojtjes vendëse, ku Lirim Kastrati gaboi i pari rëndë e edhe të tjerët nuk ia dolën që të bëjnë më mirë. Kështu, përfaqësuesi armen nga afërsia shënoi për 1:2.

Kosova u vërsul sërish në sulm duke u munduar që ta gjente sërish rrugën e golit.

Ai gol erdhi në minutën e 90+3’. Donat Rrudhani provoi goditjen nga afro 25 metra. I ndihmuar paksa edhe nga një devijim i mbrojtësit armen, topi u fut në rrjetë, duke shënuar për 2:2.

Kështu përfundoi tërë rezultati i ndeshjes. Kosova ishte shumë më e mirë në pjesë të dytë, ashtu siç deklaroi edhe vetë trajneri Giresse në fund të ndeshjes.

Kjo ndeshje shërbeu për të parë shumë lojtarë të ri në fushë. Lojtarët si Jetmir Haliti, Uran Bislimi dhe Agon Sadiku – bënë debutimin e tyre me Kosovën.

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kundër Ishujve Faroe pas tre ditësh, gjithmonë në “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme