Kosova e pret sot Rumaninë në përpjekje për të mbetur në garë për kualifikim në Euro 2024
Kosova do të përballet sonte me Rumaninë në Prishtinë, në përpjekje për të mbetur në garë për atë që do të ishte kualifikim i parë historik në Kampionatin Evropian.
Dardanët janë ende në kërkim të fitores së parë në Grupin I kualifikues për Euro 2024 dhe e shpresojnë ta arrijnë këtë sonte në Stadiumin Fadil Vokrri përballë rumunëve.
Pasi barazoi në dy ndeshjet e para, skuadra e Alain Giresse është e vetëdijshme se vetëm fitorja ia mban gjallë shpresat për kualifikim.
Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani e pranoi duke folur në konferencë për media para ndeshjes se çfarëdo rezultati pos fitores nënkupton dështim për verdhekaltrit.
“Kjo ndeshje vendos gjithçka dhe në rast që humbim këtë ndeshje, atëherë jemi 99 për qind jashtë garës”, tha Rrahmani, i cili e fitoi titullin në Serie A me Napolin këtë sezon.
“E dimë që kjo është ndeshje direkte...Është ndeshje që e vendos fatin pasi me një mosfitore Rumania do ta ketë një avancim pikësh ndaj nesh dhe kundër tjerëve.”
Trajneri Giresse nuk do të mundë të llogarisë në Elbasan Rashanin, i cili u largua nga grumbullimi shkaku i një lëndimi, ndërkohë që Edon Zhegrova pritet të mungojë po ashtu për të njëjtën arsye.
Kosova e nisi shumë keq fushatën e dytë kualifikuese për një turne evropian, pasi barazoi me rivalin e drejtpërdrejt për vendin e dytë, Izraelin, para se të pësonte barazim tronditës me Andorrën në Prishtinë.
Si pasojë, verdhekaltrit kanë dy pikë pas dy ndeshjeve, duke mbetur mbrapa liderëve Zvicrës dhe Rumanisë që kanë nga gjashtë pikë.
Ndeshja e sotme me Rumaninë në shtëpi është në veçanti e rëndësishme, pasi një disfatë e mundshme do ta linte ekipin dardan shumë mbrapa për të qenë në gjendje të luftojë për një vend që çon në Evropian.
Tri ditë më vonë, të hënën më 19 qershor, Kosova udhëton drejt Budapestit për t'u përballur me Bjellorusinë.

