“Koha më e keqe e jetës sime” – Ish trajneri i Real Madridit flet pasi i mbijetoi operacionit në zemër
Ish-trajneri i Real Madridit dhe Bayern Munichit, Jupp Heynckes, i mbijetoi operacionit të zemrës dhe tani ka diskutuar vështirësitë gjatë qëndrimit në kujdesin intensiv dhe operim, duke e quajtur kohën më të keqe të jetës së tij.
77-vjeçari sapo ka ardhur në shtëpi nga Spitali Universitar i Dusseldorfit pasi ka kryer një operacion në zemër. Gjatë operacionit të nevojshëm urgjentisht u vendosën disa stenda pasi dy arteriet në gjoks ishin mbyllur. Trajneri tashmë në pension ishte në njësinë kujdesit intensiv për rreth dy javë.

Siç citohet nga Kicker, Heynckes tha: "Ajo ishte koha më e keqe e jetës sime. Nuk mund të flija, koha nuk kalonte, ishte martirizim."
Ai pranoi se nuk "priste një operacion kaq të rëndë", por tani do të donte të shprehte falënderimet e tij të sinqerta "për të gjithë mjekët dhe gjithë stafin që u kujdes për mua".
Gjermani, i cili fitoi Kupën e Botës në 1974 udhëhoqi Bayern Munichun drejt një fitoreje të trefishtë në 2013 si trajner, ndërsa ai gjithashtu fitoi Ligën e Kampionëve në 1998 me Real Madridin.

Ai u tërhoq në fund të sezonit 2017/18 dhe kështu të paktën nuk do të ketë stresin e punës pasi ai vazhdon rrugën e tij drejt rikuperimit të plotë.
Heynckes tërë karrierën e tij si futbollist e kaloi në Bundesligë, duke u paraqitur për dy skuadra, Hannoverin dhe Monchengladbach në dy kohë, ndërsa luajti edhe 39 herë për Gjermaninë Perëndimore.

Si trajner ka stërvitur shumë skuadra të mëdha evropiane por Real Madridi dhe Bayern Munich ishin kulmi i tij në këtë zeje.