KATAR 2022 | Holanda dhe Senegali avancojnë tutje, bie Ekuadori - NACIONALE

KATAR 2022 | Holanda dhe Senegali avancojnë tutje, bie Ekuadori

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Holandës dhe ajo e Senegalit, kanë siguruar "biletën" për në fazën e eliminimit direkt nga grupi A, pas mposhtën Katarin (2:0), respektivisht Ekuadorin (1:2).

Holanda fitoi me rezultat komod 2:0 ndaj Katarit që të kualifikohet tutje si lider i grupit.

Memphis Depay kishte dy raste të mira në fillimin e ndeshjes, me njërën provoi në mënyrë akrobatike, por që nuk ia doli t'i konkretizojë.

Në epërsi Holandën e kaloi talenti Cody Gakpo me një goditje precize nga afërsia (26'), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë - VIDEO.

Vetëm katër minuta pasi nisi pjesa e dytë, Frenkie de Jong arriti të shënojë nga afërsia pas një goditje të Depay që u ndal nga portieri nikoqir (49').

Holanda arriti të shënojë edhe golin e tretë përmes Steven Berghuis, por goli u anulua për një prekje të topit me dorë në ndërtimin e aksionit.

Kështu, Holanda avancoi tutje si lider i grupit A me shtatë pikë të mbledhura, derisa mikpritësi Katari, e mbylli si pozitë e fundit pa pikë.

Në anën tjetër, derbi më interesant ishte ndërmjet Ekuadorit dhe Senegalit, të cilët luftuan për pozitën e dytë, por senegalezët e arritën në fund duke triumfuar me rezultat të ngushtë 1:2.

Derbi ishte mjaft interesant nga minuta e parë, me një lojë mjaftë të hapur dhe agresive.

Ishte Ismaila Sarr që kaloi Senegalin në epërsi duke shënuar nga pika e bardhë, një penallti të cilën e fitoi pasi u faullua brenda zonës (44').

Ekuador pastaj arriti të këndellet në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin përmes Moises Caicedo që shënoi nga afërsia pas një asisti të Felix Torres (68').

Sidoqoftë, gëzimi iu zgjati vetëm dy minuta me Kalidou Koulibalyn që vulosi fitoren me një goditje vollej (70').

Kështu, Senegali përfundoi si pozitë e dytë me gjashtë pikë, derisa Ekuadori e mbyll si vend i tretë me katër sosh.

Holanda në raundin e 16-të më të mirave do të përballet me pozitën e dytë të grupit B, derisa Senegali me pozitën e parë të atij grupi.

Lajme të ngjashme