Kampioni i Kosovës Ballkani vlen dyfish më shumë se kundërshtari i sotëm Lincoln Red Imps - NACIONALE

Kampioni i Kosovës Ballkani vlen dyfish më shumë se kundërshtari i sotëm Lincoln Red Imps

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani, sot zhvillon ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj Lincoln Red Imps, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri. Suharekasit sipas transfermarkt, vlejnë më shumë se dyfishi i vlerës së kundërshtarit nga Gjibraltari.

‘Xhebrailat’ në këtë fazë vijnë, pasi u eliminuan në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Ludogorets, ku pastaj u përballen me FC Larne në raundin e dytë të kualifikimeve të garës së tretë evropiane për nga rëndësia, ku në të dy ndeshjet i shkatërruan me rezultat të përgjithshëm 7:1.

Pak a shumë fatin e njëjtë e pati edhe kampioni i Gjibraltarit në tri vitet e fundit, të cilët u eliminuan nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve në raundin e parë pas humbjes së thellë nga Qarabag 6:1 në 180 minuta, por për dallim nga skuadra kosovare, ata u kualifikuan drejtpërdrejtë në raundin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës.

Ballkani, e cila vitin e kaluar shkroi historinë si skuadra e parë nga Kosova, që kualifikohet në grupet e njërës nga garat evropiane, sot për sot ka vlerën 4.73 milionë euro, vlerësuar sipas Transfermarkt, vlerë kjo pas largimit të futbollistit më të shtrenjtë të skuadrës deri në javët e fundit, Albion Rrahmani, i cili kaloi te Rapid Bukureshti për 600 mijë euro.

Tani futbollisti me vlerën më të madhe te Kampioni i Kosovës, është talenti suharekas, Lindon Emërllahu, që vlerësohet me 550 mijë euro, i ndjekur nga Lumbardh Dellova me 450 mijë euro, ndërsa Vesel Limaj dhe Meriton Korenica vlejnë 350 mijë euro, respektivisht.

Në anën tjetër, Lincoln Red Imps, vlerën e skuadrës sipas Transfermarkt e ka 2.28 milionë euro, ku vlera më e madhe e një lojtari nuk e kalon shifrën e 150 mijë eurove.

Me 150 mijë euro te kampioni i Gjibraltarit vlerësohen: Juanfri (sulmues), Santi Luque (anësor i djathtë), Ethan Britto (mbrojtës i majtë), Bernardo Lopes (qendërmbrojtës) dhe Dayle Coleing (portier). Shumë prej lojtarëve të tjerë kanë vlera shumë të vogla në krahasim me futbollistët e Ballkanit.

Kampioni i Kosovës po cilësohet si favorit absolut në këtë ndeshje nga kompanitë e basteve, ku fitorja e tyre cilësohet me një kuotë krejtësisht të vogël 1.20, ndërsa ajo e kundërshtarëve kap kuotën 11.

Ndeshja e parë zhvillohet sot në Fadil Vokrri me fillim nga ora 20:45, ndërsa ajo e kthimit më 17 gusht, ku fituesi në fund përballet me humbësin nga ndeshja Sheriff Tiraspol – Bate Borisov, në play-off.

Lajme të ngjashme