Juventus pranë blerjes së Paredes, me lojtarin është arritur marrëveshja rreth kushteve personale - NACIONALE

Juventus pranë blerjes së Paredes, me lojtarin është arritur marrëveshja rreth kushteve personale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas lëndimeve të lojtarëve mesfushorë si McKennie dhe Pogba, Juventus i ka intensifikuar përpjekjet për t'u përforcuar me një mesfushor. Leandro Paredes është shumë afër.

Juventus është kritikuar nga të gjithë, përfshirë vetë tifozët e tij, për nivelin shumë të dobët të paraqitjeve që kanë treguar mesfushorët e vet gjatë këtyre sezoneve të fundit.

Pogba do të kthehet nga lëndimi pas afro pesë javësh pasi vendosi që të mos i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike. Por, pavarësisht kësaj, nevoja për të pasur një alternativë të re në mesfushë, ka bërë që Juventus t'i përshpejtojë negociatat me PSG për Paredes.

Mesfushori argjentinas shihet si profili i duhur për skuadrën e Allegrit, i cili do të mund ta ndihmonte "zonjën e vjetër" për të arritur objektivin e saj kryesor, që është rikthimi i titullit kampion në Torino.

Sa është afër Paredes transferimit te Juventus?

Përveç të lënduarve të cekur më lart në repartin e mesfushës, ka edhe të tjerë, si rasti i Ramsey dhe Arthur, që qysh në fillim të fazës parapërgatitore nuk figuronin më në planet e torinezëve.

Për Ramsey është gjetur marrëveshja për zgjidhjen e çështjes kontraktuale, duke u liruar ai një vit më herët sesa që vetë kontrata e parashihte. Kurse, Arthur është në largim. Valencia është e interesuar për të.

Kësisoj, Juventus e ka marrë seriozisht interesimin për Paredes. Sipas gazetarit të mirënjohur italian, Gianluca Di Marzio, i njohur si ekspert i transferimit të lojtarëve, drejtuesit juventinë tashmë kanë arritur marrëveshje personale me Paredes.

E vetmja pengesë mbetet që të arrihet një ujdi me PSG sa i përket çmimi rreth kartonit të lojtarit. Parisienët sipas Di Marzios kërkojnë të paktën 15 milionë euro për ta liruar 28-vjeçarin.

Palët janë duke u përafruar dhe Allegri shpreson që ta ketë në radhët e veta deri në fillim të sezonit të ri në Serie A, i cili fillon në gjysmën e këtij muaji.

Lajme të ngjashme