Firmino mbyll dyert për Juventusin: Dua të qëndroj te Liverpool, i jam falënderues Zotit që gjendem këtu - NACIONALE

Firmino mbyll dyert për Juventusin: Dua të qëndroj te Liverpool, i jam falënderues Zotit që gjendem këtu

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roberto Firmino luajti si sulmues titullar kundër Manchester Cityt në finalen e Superkupës së Anglisë, ku "të kuqtë" fituan me rezultat 3:1. Pas mbarimit të ndeshjes, ai konfirmoi qëndrimin te Liverpool.

Ka disa ditë rresht që spekulohet për një largim të sulmuesit brazilian, Firmino. Afrimet e Jota dhe Nunez ia kanë cënuar jo pak minutazhin.

Megjithatë, rëndësia e 30-vjeçarit për skemat e Klopp asnjëherë nuk është vënë në mëdyshje. Nga shumë ekspertë të futbollit, ai është cilësuar si truri i Liverpoolit, ku përmes lëvizjeve të tij me dhe pa top, u ka mundësuar sulmuesve anësorë si Salah dhe Mane që të shënonin një mori golash.

Juventus është interesuar për shërbimet e tij, pasi Firmino ka vetëm edhe një vit tjetër kontratë me Liverpoolin. Negociatat për rinovim të kontratës po vijojnë, por ende nuk kanë përfunduar.

Firmino paralajmëron qëndrimin te Liverpool

Në një prononcim për mediumin TNT Sport pas përfundimit të finales së Superkupës të Anglisë, Roberto Firmino u pyet rreth të ardhmes së tij, pas spekulimeve që qarkulluan në të gjitha mediet ndërkombëtare, me largimin nga Anfield që dukej shumë i mundshëm.

"Jam shumë i lumtur këtu në Liverpool. I jam falënderues Zotit që gjendem këtu, për të luajtur në një klub të madh, me lojtarë të mëdhenj dhe të fitoj tituj. Dhe, dëshira ime është të qëndroj. Vullneti im është të qëndroj. Dëshiroj të qëndroj këtu. Jam i lumtur këtu. Kështu që, do të qëndroj është krejt ajo çfarë mund të them. Dua të qëndroj"
, u shpreh Firmino.

Kështu, në një prononcim ai përmendi fjalën "qëndrim" në katër raste, çka dëshmon edhe dëshirën e tij të flaktë për t'i qëndruar besnik skuadrës së Jurgen Klopp.
Njashtu, dje pati një paraqitje të mirë, ku në disa raste bëri atë që di më së miri: shpërndarjen e topave të saktë për bashkëlojtarët dhe lirimin e hapësirave në fazën sulmuese.

Në anën tjetër, edhe Klopp para disa ditësh ka konfirmuar qartë se nuk dëshiron të privohet nga Firmino, duke thënë se ai është zemra dhe shpirti i skuadrës.

Lajme të ngjashme