Liverpool mposht Manchester Cityn në finalen e Superkupës së Anglisë - NACIONALE

Liverpool mposht Manchester Cityn në finalen e Superkupës së Anglisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool ka arritur të fitojë ndaj Manchester Cityt në finalen e Superkupës së Anglisë, duke ngadhënjyer me rezultat 3:1.

Një ndeshje spaktakolare u zhvillua sot në King Power Stadium, me Liverpool dhe Manchester City që u ndeshen në finalen e Superkupës së Anglisë.

Ashtu siç jemi mësuar t'i shohim zakonisht, edhe kësaj radhe të dy skuadrat shfaqen lojë sulmuese, pa taktikicizme enorme, duke bërë që miliona ndjekës të futbollit të defreheshin me atë çfarë panë. Ky ishte trofeu numër 16 i Superkupës së Anglisë që Liverpool fitoi.

Nisja e vrullshme e lojës nga Liverpool në pjesë të parë

Liverpool e nisi vrullshëm pjesën e parë. Vetëm pas katër minutave lojë ishte Mo Salah ai që iu afrua golit të epërsisë, pas një driblimi dehës, por goditja e tij përfundoi jashtë shtyllës së parë.

Akoma në vazhdim të lojës ishte skuadra e Klopp ajo që kishte gjithçka në kontroll. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Arnold, gjeti për mrekulli me anë të harkimeve të tij të zakonshme Robertsonin, por ky i fundit goditi dobët me kokë, duke mos arritur të shënojë nga afërsia.

Mandej, ishte Diaz ishte që u përpoq ta befasojë portierin Ederson, por ky i fundit shfaqi reflekset e tij të mira, duke devijuar topin dhe shmangur rrezikun.

Iniciativa në fushë e Liverpool u shpërblye pas 21 minutave lojë, kur Arnold goditi nga distanca prej 20 metrash pa menduar gjatë. Goditja e tij gjeti një devijim të lehtë nga Ake, që ishte i mjaftueshëm për të bërë që topi ta merrte një trajektore të atillë, aq sa ishte e pamundshme që portieri brazilian të mund ta neutralizonte.

Me këtë gol, Liverpool kaloi në epërsi, duke çuar shifrat në 1:0. Deri në ato momente Manchester City ishte thuajse inekzistent në fushë.

Në vazhdim të pjesës së parë, skuadra kampione në fuqi e Anglisë, Manchester City, ishte më kërkuese, por nuk ia doli ta barazojë rezultatin. Rastin më të mirë e pati Haaland në minutën e 34-të, por nuk u tregua efikas, pasi zgjati këmbën dhe topi nuk koordinoi mirë goditjen e topit me këmbë. Kësisoj, pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:0 në të mirë të të "kuqve".

Kundërpërgjigja nga Manchester City

Në pjesën e dytë, Manchester CIty hyri me një ofanzivë të madhe në fushë, duke kërkuar me çdo kusht që ta barazonte rezultatin.

Dy minuta pas fillimit të pjesëlojës së dytë, Mahrez u mundua të shënojë, por Adrian u tregua i vëmendshëm.

Po kaq i vëmendshëm portieri spanjoll nuk u tregua edhe 25 minuta më vonë. Në minutën e 72-të, pas një aksioni të gjatë, më së miri u gjend Alvarez, duke ia rrëmbyer topin nga duart portierit të Liverpoolit, për ta futur topin në rrjetë. Kështu, me meritë u barazua rezultati në 1:1.

Rikthimi i Liverpoolit

Edhe pse Manchester City barazoi rezultatin, Liverpool nuk u demotivua, pasi sërish, me anë të interpretimit të zakonshëm të lojës së saj, u përpoq që ta gjente rrugën e golit.

Pasi në fushë u inkuadrua Nunez në vend të Firminos, drejt sulmuesit uruguajas sporadikisht filluan edhe disa harkime, duke dijtur shtatlartësinë e tij.

Një lojë e tillë u kërkua. Pas një harkimi të butë, i cili përfundoi në kokën e Nunez, ishte Rubian Dias ai që ndaloi me duar goditjen me kokë të sulmuesit 23-vjeçar. Gjyqtari pasi konsultoi VAR-in, vendosi që t'i akordojë Liverpoolit penallti.

I saktë nga pika e bardhë u tregua i përhershmi, Mo Salah, për t'ia rikthyer sërish epërsinë Liverpoolit, duke çuar shifrat në 2:1.

Nunez u dha përgjigje kritikave në fushë

Nunez pati impakt të mirë në lojë prej momentit që hyri në fushë në pjesën e dytë, duke e zëvendësuar brazilianin Firmino.

Edhe pse në fillim, pasi hyri në fushë, pati një mundësi të mirë shënimi, ku goditjen e tij e priti Ederson, me topin që u shtyp në fytyrën e tij - ai vazhdoi që të ishte kërkues në fushë.

Përveç që fitoi penalltinë, të cilën e konkretizoi me gol nga 11-metërshi Salah, Nunez nuk rreshti së vrapuari për asnjë moment, duke u përpjekur që ta ndihmonte skuadrën.

Angazhimi i tij dha frytet e veta në minutën e 90+4', kur arriti që të shënojë golin që konfirmoi fitoren e Liverpool. Sulmuesi uruguajas u gjend i lirë në brendi të zonës, duke shtyrë topin drejt rrjetës.

Ky ishte goli i pestë me fanellën e Liverpool, pasi katër të tjerë i kishte shënuar në miqësoren ndaj Leipzig. Paraprakisht, ai u kritikua për paraqitje të dobëta në dy miqësoret e para që i luajti me skuadrën nga Merseyside.

Për ata që nuk kanë mundur ta shikojnë ndeshjen, këtu mund ta ndiqni përmbledhjen e plotë nga finalja e sotme e Supërkupës së Anglisë, ku në fund triumfoi Liverpool kundër Manchester Cityt me rezultat 3:1.

Lajme të ngjashme