Juventus i interesuar për Firminon, por Liverpool nuk dëshiron ta shesë - NACIONALE

Juventus i interesuar për Firminon, por Liverpool nuk dëshiron ta shesë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, befasisht u raportua se Juventus është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të Firminos. Sidoqoftë, Liverpool tani për tani nuk e ka ndërmend që ta shesë brazilianin.

E përditshmja sportive italiane me tirazhin e dytë më të madh, Corriere Dello Sport, numrin e ri të gazetës e hapi me lajmin se Juventus është një hap afër ta sigurojë Firminon.

Dihet se Juventus është në kërkim të një sulmuesi, pasi deri më tani ka hezituar që ta ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit të Alvaro Morata nga Atletico Madrid.

Për këtë arsye, "zonja e vjetër" ka parë te Firmino profilin adekuat të sulmuesit, i cili do të mund ta ndihmonte skuadrën e Allegrit për edicionin e ri.

Liverpool refuzon ta shesë

Sipas agjencisë së lajmeve, Goal, njëherazi e afërt me ambientin juventin, shkruan se Liverpool nuk e ka Firminon në listën e lojtarëve për t'u larguar.

Sulmuesi 30-vjeç brazilian pëlqehet nga Juventus, por deri më tani sipas Goal nuk ka asnjë negociatë që është në zhvillim e sipër mes dy klubeve.

Liverpool deri më tani ka shitur Sadio Manen drejt Bayern. Me afrimin e Nunez dhe më herët të Jotas, minutazhi për Firminon është reduktuar. Megjithatë, ai vazhdon të jetë pjesë e projektit të Jurgen Klopp.

Akoma nuk është shënuar ndonjë hap konkret në negociatat mes drejtuesve të klubit anglez dhe atyre të lojtarit brazilian, për ta vazhduar kontratën, e cila skadon në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.

Juventus këmbëngul të përforcohet me një tjetër sulmues

Togfjalëshi që mbizotëron në ambientin juventin gjatë ditëve të fundit është "nevoja për një sulmues të ri". Kësisoj, janë një mori lojtarësh që po vëzhgohen për të qenë alternativë e Vlahovic.

Werner, Martial dhe vetë Morata (me një çmim të arsyeshëm, pasi Allegri ka simpati ndaj tij si futbollist) - janë emrat që lakohen përditshmërisht si ata potencialë për ta zgjidhur enigmën e sulmuesit që mungon.

Allegri me drejtuesit e klubit torinez po punojnë që fillimi i kampionatit të mos i gjejë të kompletuar. Kështu, po bëhen edhe përpjekjet maksimale për t'u përforcuar me një sulmues tjetër. Firmino është i fundit që i është bashkuar kësaj liste.

Lajme të ngjashme