Allegri: Një lojtar si Di Maria është kënaqësi ta shohësh - NACIONALE

Allegri: Një lojtar si Di Maria është kënaqësi ta shohësh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Max Allegri ka folur në superlativ për Angel Di Maria në vigjilje të ndeshjes miqësore kundër Real Madridit.

Ndonëse në moshë 34-vjeçare, Di Maria ka ngazëllyer pafund tifozët, trajnerin dhe drejtuesit e Juventusit për kalimin e tij te "zonja e vjetër".

Juventus ka kohë që është në kërkim të një lojtari shpërthyes në krahët e sulmit. Lëndimi famëkeq i Chiesas dhe paraqitjet e dobëta të Bernardeschit, kanë bërë që aksionet sulmuese të ishin shumë të parashikueshme.

Për një fantazi dhe vizion më të madh, klubi torinez e ka dashur me çdo kusht Di Marian. Ky i fundit pranoi që t'i bashkohej projektit të skuadrës më të trofeshme në Itali.

Tani kur mungojnë dy javë deri në fillim të edicionit të ri të Serie A, ndër të tjera, ylli argjentinas konsiderohet si lojtari që mund ta shtyjë skuadrën drejt rikthimit të fitimit të trofeve.

Allegri nuk kursen lëvdatat për Di Marian

Max Allegri në konferencë për shtyp para ndeshjes miqësore kundër Real Madridit, është përgjigjur edhe ndaj pyetjeve të gazetarëve për sulmuesin argjentinas.

Për trajnerin italian cilësitë e sulmuesi 34-vjeçar janë të padiskutueshme dhe tek ai sheh tipare që nuk janë të zakonta për lojtarët tjerë.

"Lojtarët të cilët janë të aftë ta praktikojnë futbollin siç bën Di Maria, është kënaqësi t'i shohësh, duke qenë ose mos qenë në posedim të topit. Ai është lojtar ndryshe dhe arrin të bëjë gjëra ndryshe nga të gjithë", sqaroi Allegri.

Trajneri i Juventusit foli edhe në lidhje me rolin në të cilin e sheh Di Marian te formacioni i tij.

"Ai është aq i aftë që ta kuptojë rrjedhën e lojës, aq sa duhet të jemi të gjithë në të tjerët në lartësinë e duhur që ta vëmë në pozitë të favorshme, ku do ta jepte më të mirën"
, shpjegoi trajneri 54-vjeçar.

Edhe Del Piero me fjalë të mëdha për Di Marian

Njëra prej ikonave absolute të Juventusit dhe Kombëtares së Italisë, Del Piero, ka thënë fjalë më se pozitive për Di Marian.

"Besoj që është një blerje fantastike për Juventusin. Është një lojtar që ka kualitete të jashtëzakonshme. Është shum efikas dhe kjo është një gjë që më pëlqen mua. Ndër të tjera, ka edhe shumë personalitet. Kam pasur fatin ta njoh nga afër dhe u konfirmua ajo seç mendoja për të"
, theksoi Del Piero.

Në javët e fundit është vërejtur një përafrim i Del Pieros me drejtuesit e Juventusit, pas një lamtumire të hidhur, meqë ish-fantazisti i "zonjës së vjetër" nuk ishte ndarë i kënaqur me formën se si ishte trajtuar largimi i tij nga skuadra.

Lajme të ngjashme