Allegri: Pogba mund të bëhet ikonë e kësaj skuadre - NACIONALE

Allegri: Pogba mund të bëhet ikonë e kësaj skuadre

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, tha për Paul Pogban se ai mund të bëhet një ikonë e kësaj skuadre, pas kthimit të tij te zonja e vjetër si lojtar i lirë.

Mesfushori francez iu bashkua Juventusit para disa javësh, pasi që kontrata paraprake i skadoi më 30 qershor të këtij viti me Manchester United. Kjo është eksperienca e dytë në kampionatin italian, pasi që edhe më herët ishte pjesë bardhëzinjve .

Allegri pati lëvdata në drejtim të 29-vjeçarit, pas fitores me rezultat 2:0 ndaj Chivas këtë të premte në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, që fillon në mesin e muajit gusht.

Trajneri i Juventusit tha: “Ishte një test i mirë. Tani për tani, ne luajtëm mirë, me një ritëm të mirë. Skuadra punoi fort në Turin këto ditë dhe ju mund ta shihni rezultatin e punës."

“Pogba luajti shumë mirë, ka edhe disa elemente që ai duhet të punojë por ai mund të bëhet një ikonë e kësaj skuadre.”

29-vjeçari me ardhjen e dytë te Juventusi në këtë verë, shpreson se do ta rikthehet në formën e dikurshme, sidomos në formën që ishte gjatë viteve 2012-2016 në eksperiencën e parë te zonja e vjetër.

Bardhezinjtë ndeshjen radhës miqësore do ta kenë kundër Barcelonës më 27 korrik në Dallas të Teksasit dhe pas katër ditësh udhëton në Kaliforni për ndeshjen ndaj skuadrës tjetër spanjolle, Real Madrid.

Ndeshjen e fundit të parapërgatitjeve për sezonin e ri, Juventusi e zhvillon ndaj Atletico Madridit, më 7 gusht në Tel Aviv të Izraelit.

Këto ndeshje miqësore shërbejnë për bashkimin e skuadrës në mënyrë që të luajnë futboll sa më kompakt për sezonin e ri. Kur jemi te sezoni i ri, ndeshja hapëse për zonjën e vjetër do të luhet më 15 gusht ndaj Sassuolos, ndeshje kjo që zhvillohet në Allianz Stadium në Torino.

Lajme të ngjashme