Zyrtare: Juventus prezanton Gleison Bremer - NACIONALE

Zyrtare: Juventus prezanton Gleison Bremer

1 vit më parë

nga NACIONALE

Juventus ka kompletuar transferimin e qendërmbrojtësit Gleison Bremer nga rivali lokal, Torino.

Bremer që deri vonë ishte pranë kalimit te Inter, ka nënshkruar kontratë për pesë vitet e ardhshme me "Bianconerët".

Përmes një komunikate zyrtare, gjiganti italian prezantoi me nënshkrimin e Bremer.

"Mbrojtjes së Juventusit i shtohet një arritje e re, e rëndësishme, ajo e Gleison Bremer që nga sot deri më 2027 do të jetë lojtar i Juves, pasi na u bashkua nga Torino", shkroi klubi në komunikatë.

Gara e madhe për shërbimet e Bremer, Inter e humbi mbrojtësin në çastet e fundit

Sa i përket qendërmbrojtësit, të gjithë menduan se do të kalonte te nënkampioni i Italisë, Inter Milan.

"Neurazzurët" e kishin prioritet për ta zëvendësuar Milan Skriniar, që ishte shumë pranë kalimit te Paris Saint German.

Mirëpo, gjiganti francez nuk e kompletoi nënshkrimin me sllovenin pasi nuk gjetën gjuhën e përbashkët me klubin italian dhe nga ana tjetër Juventus e shiti Matthijs de Ligt te Bayern Munich, andaj menjëherë iu bashkuan kësaj gare duke e siguruar brenda 48 orëve.

Sapo u arrit marrëveshja për shitjen e De Ligt, "Zonja e Vjetër" ofroi 40 milionë euro për Bremer që e bindi Torinon dhe pastaj arritën marrëveshje personale edhe me vetë futbollistin, që do të fitojë mbi 5 milionë euro për sezon.

Bremer edicionin e kaluar ishte ndër mbrojtësit më të mirë në Serie A

Padyshim, paraqitjet e Bremer në edicionin e kaluar u vlerësuan lartë nga të gjithë në Serie A.

Braziliani ishte i shkëlqyeshëm te Torino duke zhvilluar 33 paraqitje në të gjitha garat dhe kontribuar me tre gola dhe një asistim.

Ish bashkëlojtari i Mërgim Vojvodës, tani për pesë vitet e ardhshme do të mbrojë ngjyrat e rivalit lokal të ish klubit, si dhe do të mbajë numrin tre në fanellë.

Lajme të ngjashme