“Japim shpirtin për t’u kualifikuar në Evropian”, Jasir Asani me një rrëfim ndryshe flet për ftesën e Shqipërisë - NACIONALE

“Japim shpirtin për t’u kualifikuar në Evropian”, Jasir Asani me një rrëfim ndryshe flet për ftesën e Shqipërisë

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Lojtarët do të japin shpirtin për ta kualifikuar Kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Evropian, kështu ka deklaruar sulmuesi Jasir Asani për Gazetën Nacionale.

U nevojit ardhja e Sylvinhos që Asani të merr ftesë për kualifikueset e Kampionatit Evropian, ku e dëshmoi veten duke realizuar një eurogol ndaj Moldavisë, si dhe bëri paraqitje fantastike ndaj Ishujve Faroe.

Në një intervistë ekskluzive për Nacionalen, anësori këmbëshpejtë deklaroi se ishte dëshira e tij që i vogël të luaj për Shqipërinë.

Unë jam shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe jam i lumtur që jam pjesë e Kombëtares”.

E kam pritur gjithmonë ftesën sepse ka qenë dëshira ime që i vogël. Që të luaj për Shqipërinë ka qenë ëndrra ime dhe më në fund u realizua. Jam më i lumturi në botë që jam pjesë e kombëtares”.

Tutje, ylli i Gwangju FC tregoi sa shumë lojtarët e Shqipërisë janë duke e dashur trajnerin brazilian, i cili po iu qëndron afër dhe po i mbështet në çdo moment.

Normal si për të gjithë lojtarët, ai (Sylvinho) ka biseduar edhe me mua. Është trajner shumë i mirë, ka filozofinë e vet që duhet të shkojmë veç përpara. Është trajner që jep shumë mbështetje, besoj se do të bëjmë gjëra të mëdha sepse kemi staf shumë të mirë dhe jemi të gjithë bashkë për një qëllim. Do të japim shpirtin në fushë për ëndrrën e të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës që t’i bëjmë të lumtur”.

Kemi një trajner të madh. Është kënaqësi sepse po na jep besimin, na mbështet në çdo sekondë sepse ka qenë lojtar dhe e di si t’i motivojë lojtarët. Ne grupi jemi si familje dhe të gjithë të lumtur me ardhjen e Sylvinhos. Kemi një ëndërr për ta realizuar dhe së bashku inshallah do Zoti që t’ia dalim”.

28-vjeçari nënvizoi se Shqipëria i meritoi dy fitoret e muajit qershor, por që duhet ende një punë e madhe që të realizojnë ëndrrën për në Kampionat Evropian.

Normal jemi të lumtur të gjithë pasi arritëm dy fitore, por na duhet ende punë për të ecur akoma më përpara që të ndihmoj skuadrën për të arritur fitore. Jemi të gjithë së bashku për një qëllim. Këto dy fitore ishin të merituara”.

Besoj se jemi shumë mirë me këto gjashtë pikë të arritura, por duhe të punojmë sa më shumë sepse kemi ndeshje shumë të rëndësishme, por secili është i përgatitur për këto ndeshje. Kemi edhe shumë finale të tjera për të luajtur, besoj se do të bëjmë gjëra të mëdha”.

Unë mendoj se të gjithë janë kundërshtarë të fortë, prandaj duhet të përgatitemi për çdo ndeshje sepse s’ka ndeshje të lehta. Duhet të japim shpirtin si me Çekinë, si në ndeshjet e tjera. Duhet të përgatitemi në maksimum”.

Në fund, Asani komentoi edhe të ardhmen duke shtuar se synimet momentale janë t’i arrijë objektivat e klubit nga Korea.

Nuk e di tani për tani pasi jam në Kore, kemi kampionatin dhe duhet të bëjmë punën siç duhet për t’i arritur objektivat e klubit. Gjithçka po shkon mirë dhe tani duhet t’i arrijmë qëllimet”, përfundoi ai.

Kujtojmë, Shqipëria renditet e dyta në grupin E me gjashtë pikë të mbledhura, vetëm një më pak se Çekia që është lider.

“Kuq e Zinjtë” përballjen e radhës e zhvillojnë si mysafir i Çekisë më 7 shtator, kurse tre ditë më vonë do ta presin Poloninë në “Air Albania”.

Lajme të ngjashme