Intervistë| Shpëtim Idrizi: Trepça '89 synon të luajë në garat evropiane vitin e ardhshëm
Trepça '89 i është rikthyer Superligës. Trajneri aktual dhe ish-kapiteni i saj, Shpëtim Idrizi, për gazetën Nacionale tregoi ambiciet e klubit për sezonin e ri.
Për thuajse dy dekada Trepça '89 ka qenë skuadër që ka treguar rezultate të kënaqshme, duke u renditur në pjesën e sipërme tabelare. Pavarësisht skuadrës kompakte që kanë pasur ndër vite, ata tek në edicionin 2016/2017 u kurorëzuan me titullin e parë kampion.
Pjesë e atij suksesi të madh ishte edhe Shpëtim Idrizi. Atëherë si fantazisti dhe kapiteni i skuadrës dha një kontribut të çmuar, në mënyrë që skuadra ta arrinte fitimin e titullit.
Kur vjen fjala për ndjeshmërinë për klubin, Shpëtim Idrizi gjithmonë e ka dëshmuar veten, qoftë kur e ka djersitur bluzën e "minatorëve" apo tani në cilësinë e trajnerit. Prej që është ngarkuar me pozitën e trajnerit, skuadra ka pësuar shumë ndryshime. Faza e ribrendimit ka nisur tani e një kohë të gjatë. Trepça '89 ka filluar të operojë më shumë duke i kushtuar rëndësi grupmoshave të reja dhe zhvillimit të talentëve të rinj sesa që vrapon për t'i marrë me shpejtësi lojtarët e spikatur në kampionatin kosovar siç bënte dikur.

Shpëtim Idrizi në një intervistë për gazetën Nacionale, tregoi rreth organizimit të klubit për edicionin e ri, në vazhdën e rikthimit në Superligë dhe për synimet e pritshmëritë që kanë.
Nacionale:
Shpejt u rikthyet në Superligë, pasi në finalen e barazhit kundër Dukagjinit në vitin 2021 pësuat humbje, për të rënë më pastaj në Ligën e Parë. Si ishte për juve kjo periudhë tranzicioni në skuadër?
Shpëtim Idrizi:
Po, realisht fillimi ka qenë i vështirë, por kjo tregon se Trepça '89 është një klub i madh dhe i organizuar, ku pas mbledhjes të cilën e kemi mbatur, kemi filluar të reagojmë që sa më shpejt ta kompletojmë ekipin. Pavarësisht shumë largimeve, përsëri kemi arritur ta komponojmë ekipin me lojtarët e duhur dhe, si rezultat i saj, erdhi edhe inkuadrimi në Superligë.

Nacionale:
Çfarë cilësie keni vënë re te skuadrat në Ligën e Parë?
Shpëtim Idrizi:
Unë mendoj që nuk përcjellet edhe aq shumë Liga e Parë, ku faktikisht ka jo pak, por shumë lojtarë që mund të jenë pjesë e Superligës. Kjo është ajo që e kemi vënë re më shumë gjatë periudhës sa kemi qenë në Ligën e Parë.
Nacionale:
Rikthimi në Superligë po shoqërohet me një varg largimesh dhe prurjesh të reja. Cilat janë ambiciet e juaja si klub në raport me sezonin e ri?
Shpëtim Idrizi:
Është e vërtëtë që kemi pasur largime nga ekipi dhe e kemi parë të arsyeshme të reagojmë, që të angazhojmë lojtarë aty ku kemi pasur mungesa në vende kyçe. Përpjekja ka qenë që gjithmonë të jenë lojtarë që iu përshtaten lojës së Trepçës '89. Sa i përket ambicieve, dihet që Trepça '89 e ka pasur synim të jetë në katërshen e madhe dhe besoj që me potencialin që kemi, në vitin e ardhshëm do të jemi në garat evropiane.

Nacionale:
Para se të mendoni për katërshen e madhe, a mendoni se Trepça '89 e ka cilësinë e duhur për të mos rrezikuar rënien nga liga?
Shpëtim Idrizi:
Po, me organikën e lojtarëve që kemi, ku e kemi ruajtur boshtin e ekipit, si dhe me prurjet e reja - mendoj që Trepça '89 për asnjë moment nuk do të rrezikojë që të largohet nga elita e Superligës.
Ndër të tjera, kemi tre ose katër lojtarë që kanë ardhë prej gjeneratës së juniorëve dhe besoj që shumë shpejt do të jenë ata që do të bartin barrën kryesore. Ndoshta jo për momentin, por në kalimin e kohës do të jenë faktorë kyç te Trepça '89.
Nacionale:
Mitrovica së fundi po kalon në një fazë euforie sa i përket sportit, për shkak të organizimit të KB Trepçës. A ka potencial që edhe Trepça '89 ta kthejë vëmendjen e publikut mitrovicas te futbolli dhe ndeshjet që zhvillohen në "Riza Lushta"?
Shpëtim Idrizi:
Nëse do të kemi një ecuri sikur në Ligën e Parë, çka për aty nuk dyshoj, besoj dhe shpresoj shumë që me lojë të bukur dhe me rezultatet që do t'i kemi, atëherë do ta kthejmë namin e dikurshëm, por bashkë me të edhe tifozërinë më të flakët që ka Kosova.
Nacionale:
Për fund, a mund të na thoni nëse jeni afër për ta kompletuar organikën e skuadrës? Sa lojtarë tjerë priten që të afrohen?
Shpëtim Idrizi:
Mendoj që deri në javën e ardhshme do ta kompletojmë ekipin. Jemi në bisedime edhe me tre lojtarë, të cilët do të na bashkangjiten dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jona.